Banesat sociale, Ministria e Zhvillimit Urban premton strategji të reja për programet e strehimit

0
184

Qeveria shqiptare e ka gati strategjinë e re për strehimin. Kjo strategji parashikon që apartamentet të cilat janë bosh të blihen nga shteti dhe më pas t’ju jepet shtresave në nevojë dhe atyre që nuk kanë një banesë. Aida Seseri, drejtoresha e Strehimit në Ministrinë e Zhvillimit Urban deklaron se janë disa programe të reja strehimi që do shtohen me këtë strategji, e cila parashikohet të jetë e suksesshme. “Ne sapo e kemi përfunduar punën për strategjinë e re të strehimit. Me mbështetjen e UNDP-së po bëjmë gati edhe ligjin për strehimin. Do të krijojmë fondin e banesave sociale, që do të thotë çdo bashki do të ketë në dispozicion një fond të posaçëm. U krijojmë mundësi shoqërive të ndërtimit, që banesat e tyre të pashitura të hyjnë në marrëdhënie me bashkitë për t’i shitur apo për t’i dhënë ato me qera. Ligji i strehimit do të mbarojë brenda vitit 2016”, thekson Aida Seseri. Ndërkohë pavarësisht se prej 3 vitesh qeveria ka ndaluar dhënien e kredive të buta, parashikohet që ky program të rihapet sërish. Të gjithë ata që kanë aplikuar nëpër bashki, por edhe ata që do aplikojnë do të kenë mundësi të marrin kredi të burë për blerjen e një banese me interes prej 3%. Drejtoresha e Strehimit thotë se ky program u bllokua për shkak të abuzimit me fondet nga ana e bashkive, por ajo thekson se do të rihapet sërish. “Programi nuk është mbyllur. Ai thjesht është zëvendësuar në mënyrë që t’u jepet mundësi që me këto para të ndihmohen njerëzit në nevojë, por ne shpresojmë që sapo të kemi mundësi që shtresën në nevojë ta sistemojmë, atëherë do t’i rikthehemi kredive të buta. Ministria e Zhvillimit Urban do t’i financojë gjatë gjithë kohës, për 20 vjet që ata kanë lidhur kontratën dhe paguajnë tre përqind, ndërsa diferencën e paguan ministria”, deklaron Aida Seseri. Në këto vite Ministria e Zhvillimit Urban ka siguruar mundësi strehimi për qindra qytetarë, duke filluar nga bonos i strehimit deri te banesat sociale.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here