Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, në një intervistë për emisionin “Opinion” në TV KLAN, ka konfirmuar se Lëvizja Socialiste për Integrim do t’i japë 20 votat për reformën në drejtësi, por, gjithmonë nëse arrihet konsensusi me opozitën. Ai tha se votimi i njëanshëm nuk prodhon drejtësi të besueshme dhe të pavarur. Kreu i LSI tha se do të votohet drafti që përputhet me rekomandimet e Venecias dhe të SHBA. Ilir Meta dha shpresa se të enjten do të shkohet drejt votimit të draftit për reformën në drejtësi, pasi ekspertët do të mbërijnë në një rezultat pozitiv.
-Rreth orës 16:00, ju jeni takuar me kryeministrin dhe Bashën, keni emëruar tre negociatorë. Në çfarë faze ndodhet reforma?
Kam pasur bindje që reforma do kalojë për miratim. Jemi shumë pranë konsensus për reformën në drejtësi.
-Do kalojë drafti i propozuar nga ndërkombëtarët, apo ndonjë draft i rakorduar mes jush?
Drafti që është diskutuar është ai hibrid. Ka qenë thjesht një proces që u bë pak telefon i prishur. Edhe takimi i sotëm është një rast i mirë për të demonstruar këtë.
-Ju dukeni shumë i qetë, por në orën 19:00 zoti Rama nuk ka ruajtur këtë qetësi.
Kryeministri ka qenë shumë i qartë kohët e fundit. Ka thënë se opozita duhet ta zgjidhë këtë proces. Ato propozime kanë qenë në një linjë me zonjën Nuland dhe Franceshtain.
-Ju bashkë me zotin Basha jeni pro këtij drafti të zonjës Nuland?
Votat e LSI janë prej kohësh në Uashington.
-Që do të thotë?
Jemi shumë pranë konsensusit.
-Nëse konsensusi dështon?
Nuk ka arsye që të dështojë konsensusi, edhe pse ka ndodhur.
-Pyetja është e drejtpërdrejtë…
Ne do ta votojmë këtë draft. Pasi ai është një draft që përputhet me ‘Venecian’. Propozimet janë të drejta dhe këtu bëhet diskutimi për disa ndryshime, por që nuk e prekin thelbin.
-Është proces i blerjes së votave?
Nuk i hyj kësaj çështje sot. Ne jemi pranë suksesit. Në rast se reforma në drejtësi, që do votojmë ditën e enjte do të votohet pa konsensus, atëherë i gjithë procesi europian i vendit, rrezikon të minohet.
-Kryeministri e ka pohuar se ka votat për reformën në drejtësi. Jeni i sigurt që do votohet ky draft?
Topi do na ngelet të gjithëve, dhe duhet të jetë një histori suksesi i aktorëve politik në vend.
-Në datë 21 do votohet drafti?
Padyshim që po.
-Nuk do ketë shtyrje tjetër?
S’e besoj se ka arsye, pasi s’ka problematika.
-Me këtë qeveri, apo me një qeveri tjetër?
Stabiliteti i vendit do të thotë se kjo reformë të ketë institucione të pakontestueshme dhe mos të deligjitimohet Parlamenti.
-Ka bërë përshtypje fakti që Nuland nuk ju ka takuar…
Marrëdhëniet e mia janë të shkëlqyera me SHBA.
-A ka pasur një marrëdhënie mes jush dhe Berishës për të bllokuar reformën apo me zotin Basha?
Së pari, për këto çështje të bllokimit apo frikërave nga burgu, dua të sqaroj se ia kam bërë të qartë edhe zotit Lu, se në rast se FBI dhe DEA dhe CIA kanë edhe një gjë të vogël me Ilir Metën, të ma thonë se unë iki vetë nga politika.
-Nëse ka diçka për drejtësinë vendos ligji…
Ajo është një tjetër çështje.
-Pas çështjes DIA, marrëdhëniet tuaj me Ramën janë ftohur, dhe qeverisja s’ka qenë e duhura.
Jo, ne nuk kemi pasur asnjë problem.
-A ka marrë fund koalicioni juaj i dështuar? A do vazhdoj kjo qeverisje?
E keni fjalën për qeverinë e ekspertëve dhe qeveri teknike. Kjo ide erdhi nga domosdoshmëria e miratimit të reformës. Kjo ishte një ide e imja, pasi problemi kryesor që ne kemi është dyshimi që ka opozita se qeveria mund të përdorë institucionet e drejtësisë. Duhet të jemi të ndershëm dhe me opozitën, pasi ka dhënë kontributin e saj për kompromis, ia kam thënë edhe Ramës. PD me dëshirë apo pa dëshirë, ka pranuar një ndryshim total të sistemit të drejtësisë. Madje ka dhënë disa nga propozimet më të guximshme. Atëherë kur kjo forcë politike pranon që këto institucione të ndryshojnë, të bëhet edhe procesi i ‘Vetingut’. Ndaj në këtë drejtim besoj se duhen bërë të gjitha përpjekjet si një histori suksesi, pasi nisi si histori për të kërkuar fajtor.
-A ka mbaruar koalicioni Rama-Meta?
Kjo nuk ka lidhje. Atëherë nuk keni kuptuar thelbin e propozimit tim. Qëllimi im ishte se meqë asnjë se do reformën, PD mendon se qeveria Rama-Meta do kapë këtë sistem, atëherë kjo do ishte një zgjidhje dhe të bihej dakord për zgjedhje të reja. Madje, ideja ime ishte që të bëhej edhe koalicion PS-PD dhe LSI të ishte në opozitë, vetëm që të miratohej reforma. Të sakrifikojmë pushtet për të bërë shtet.
-A funksionon raporti juaj me Ramën?
Po funksionon. Dhe koalicioni vazhdon.
-A do bëni një mocion mosbesimi për të rrëzuar kryeministrin?
Absolutisht jo!
-S’do bëni koalicion me PD?
Jo.
-Do ta votoni?
Padyshim që do ta votojmë, sepse drafti aktual është një draft i cili përputhet plotësisht me rekomandimet finale të Venecias. Pretendimet aktuale të opozitës unë mendoj që janë të drejta dhe askush nuk mund t’i kontestojë ato. Këtu diskutimi bëhet për disa modifikime, të cilat nuk kanë asnjë arsye…
-Që e prekin thelbin apo nuk e prekin?
Absolutisht, nuk e besoj se e prekin thelbin. Po punohet aktualisht edhe me ekspertët e OPDAT-it dhe me ata të EURALIUS-it për të gjetur dakordësimet e fundit. Por ajo që dua të them unë është se nuk është problemi që reforma të kalojë me 94 vota, apo me 95 vota, sepse kjo është një reformë shumë e madhe, një ribërje e Kushtetutës së Shqipërisë. Është një reformë, e cila, për fat të keq, është zhvilluar në një atmosferë jo shumë demokratike, në një atmosferë jo shumë konstruktive ku ka dominuar retorika e ashpër, shantazhuese, ndarëse dhe ku njerëzit ende sot, jo vetëm qytetarët, por, për fat të keq, edhe deputetë, që do të votojnë ditën e enjte nuk janë të qartë për shumë çështje të tjera, të cilat janë shumë të rëndësishme për të ardhmen. Nuk bëhet fjalë për një reformë për zgjedhjet e ardhshme, por bëhet fjalë për një reformë, e cila do t’i shërbejë Shqipërisë të paktën për 30 vjetët që vijnë.
-Por, z. Meta, megjithëse këta deputetë nuk janë të qartë, meqenëse votat e PS-së i garantoi
Kryeministri në një fjalim të sotëm, ju po i garantoni këtu live në studio votat e LSI-së, me çfarë të drejte ka dalë Kryeministri, ose të paktën kreu i maxhorancës të mbledhë votat e opozitës për këtë reformë, kur as deputetët nuk e kanë të qartë se për çfarë po votojnë?
Nuk mendoj se nuk e kanë të qartë thelbin e reformës, por kanë të paqartë ende çështje të caktuara dhe më e rëndësishmja, opinioni publik mund të kishte më shumë informacion, sepse mendoj se kjo është një reformë që është në interes të të gjithë shqiptarëve, nuk është një reformë që bëhet thjesht për politikanët, zyrtarët e kështu me radhë.
-Të kërkosh votat e deputetëve të veçuar, z. Meta, a është trafikim votash? A është blerje votash?
Është një proces, po e quaj, moralisht i qëndrueshëm demokraci?
Unë nuk i hyj kësaj çështjeje sot. Ai shqetësim që kam pasur në fillim dhe që ende e kam, por besoj se jemi pranë suksesit, është që në rast se reforma në drejtësi, reforma kushtetuese, që ne do të votojmë ditën e enjte, do të votohet pa konsensus, atëherë i gjithë procesi i mëtejshëm i integrimit europian të vendit, jo vetëm që vihet në diskutim, sepse rrezikohet, minohet dialogu politik, një kusht i domosdoshëm për vazhdimin e procesit të integrimit, por njëkohësisht rrezikohet të deligjitimohen ose të kontestohen institucionet e reja dhe i gjithë ky proces për të cilin besueshmëria është mjaft e rëndësishme. Të mos harrojmë që z. Krichbaum, kryetari i Komisionit për Çështjet Europiane në Bundestagun gjerman, deklaroi se një reformë drejtësie, e cila votohet në mënyrë të njëanshme, nuk mund të prodhojë një drejtësi të besueshme dhe të pavarur.
-Kryeministri e ka deklaruar publikisht vullnetin e tij dhe të votave të tij në favor të reformës në drejtësi, megjithëse, me sa di unë, më shumë këto ditë janë shqetësuar për votat për qeverinë se për votat për drejtësinë. Ju sapo i deklaruat tani votat në favor të reformës në drejtësi, mbetet që topi t’i mbetet vetëm opozitës që të thotë po ose jo. Në këtë rast, pavarësisht se cili do të jetë qëndrimi i opozitës, në datën 21 korrik jeni i sigurt që do të votohet ky draft?
Realisht topi në çdo rast na mbetet të gjithëve, sepse ky duhet të jetë një produkt i të gjithëve dhe duhet të jetë një histori suksesi e të gjithë aktorëve politikë në vend, por aktualisht mendoj se diskutimi kryesor është me përfaqësuesit e BE-së dhe të Shteteve të Bashkuara, pasi Kryeministri e ka bërë të qartë që është dakord me gjithçka që ata konfirmojnë.
-Z. Meta, pyetja lidhet më shumë me pjesën konkrete, që do të thotë në datën 21 korrik, do të votohet drafti, apo jo?
Padyshim, ne besojmë që do të votohet…
-Ju tremb personalisht ju, z. Meta, reforma në drejtësi? A keni frikë ju nga një drejtësi ndryshe nga kjo që është deri tani? Në fjalën tuaj, ka bërë përshtypje fakti se fjalën “burg” e keni përmendur 11 herë. Kaq frikë keni realisht nga burgu pas reformës në drejtësi?
Së pari, të jeni i sigurt që jam më i qetë se kushdo tjetër për reformën në drejtësi.
Së dyti, Lëvizja Socialiste për Integrim është një forcë politike, e cila nuk ka pasur asnjë arsye të mbrojë sistemin aktual. Përkundrazi, ka qenë mjaft mbështetëse për një ndryshim të thellë dhe të plotë të sistemit aktual të drejtësisë, ashtu sikurse nuk ka asnjë arsye dhe asnjë shqetësim për të kapur sistemin e ri. I vetmi angazhim dhe preokupim imi dhe i Lëvizjes Socialiste për Integrim mbetet stabilitetit i vendit dhe forcimi i institucioneve në vend.