Çifti Andrea u njoftua se kishte qenë nën përgjim nga Forcat Operacionale të policisë, para se prokuroria të bënte publik arrestimet dhe kërkesën për pezullimin e anëtares së Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea.
Për të fshehur marrjen e ryshfetit, Odhise Andrea, këshilltar pranë Komisionit parlamentar të Sigurisë dhe Petraq Dashi, sekseri u takuan përsëri. Megjthëse 50 mijë eurot ishin marrë disa ditë më parë, të dy u paraqitën pranë një noteri ku firmosën deklaratë se paratë ishin marrë borxh.
Në fakt, Forcat Operacionale të Policisë së Shtetit i kishin filmuar të dy duke dorëzuar qesen me para në një lokal në Tiranë, një ditë para vendimit të Gjykatës së Lartë, që i ktheu pronën prej 40 hektarësh një familjeje.
Provat e takimit të sekserit, Petraq Dashi dhe bashkëshortit të Majlinda Andreas, Odhise Andreas janë fotografi dhe video që tregojnë shkëmbimin e parave.
Edhe kur sekseri, Petraq Dashi i merr paratë nga përfaqësuesi i familjes së ish pronarëve Ilia Çabiri dhe Eleni Lino është filmuar nga policia. Po ashtu janë përgjuar dhe regjistruar telefonatat kur të arrestuarit negociojnë për t’i dhënë paratë gjyqtares Majlinda Andrea.
Paratë u dorëzuan në datën 11 korrik, një ditë para shpalljes së vendimit. Të nesermen, me datë 12 korrik, ashtu siç I kishin premtuar vendimi u dha në favor të dy sarandiotëve.