Kryeministri Edi Rama doli i sforcuar në konferencën e mbajtur në kryeministri, të mbajtur pas lajmit që dha kryetari i opozitës Lulzim Basha, për ta vënë theksin vetëm tek një fakt: Sipas tij, opozita është nënshtruar më në fund, duke pranuar variantin e mazhorancës.
Edi Rama: “Partia Demokratike i është nënshtruar vullnetit të hekurt të popullit shqiptar dhe vullnetit të hekurt të partnerëve tanë strategjikë, që bashkë me shqiptarët të çojnë përpara një reformë historike që i hap rrugë revolucionit në sistemin e drejtësisë për përmbysjen përfundimtare të kastës së të korruptuarve dhe të të inkriminuarve, që mban peng drejtësinë në këtë vend. “Vijat e kuqe” ishin aty, janë aty dhe do të mbeten aty të palëvizura me votimin unanim të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”.
Por a është në të vërtetë kështu? A pranoi PD një variant të mazhorancës pa shkelur vijat e kuqe që Rama i ka patur kryefjalë të komunikimit publik këto javë? Apo ishte Rama që i fshiu vijat e kuqe që ai tha se u hoqën nga ambasadorët Lu e Vlahutin? Këto pyetje po qarkullojnë në këto orë qetësie në opinionin publik, teksa palët, të lodhura nga negociatat e gjata e të ngritura mbi kulme mosbesimi, po kërkojnë fajtorë e triumfatorë.
Lulzim Basha: “Sot kjo betejë përmbushet me një fitore. Jo fitore e Lulzim Bashës, as fitoren e Partisë Demokratike, por fitoren e çdo shqiptari duke nisur nga Kryeministri apo Presidenti i vendit e deri tek qytetari më i thjeshtë i Republikës, të gjithë të barabartë para ligjit”.
Dy çështjet “delikate” të Vetting-ut, Basha thotë se janë rekomanduar nga komisioneri Hahn sipas variantit të saj. Dhe kjo është fitorja e trumpetuar prej tij.
Lulzim Basha: “Pas komunikimit më të fundit, të rakorduar përmes Komisionerit të Zgjerimit Johanes Hahn, është rënë dakord se roli i misionit ndërkombëtar do të jetë një rol rekomandues, vendimmarrja mbetet tërësisht në duart e institucioneve shqiptare, dhe kjo do të mishërohet në Kushtetutën e Shqipërisë, me një dispozitë tranzitore. Po kështu, nuk do të përjashtohet asnjë qytetar shqiptar nga konkurimi mbi bazën e hamendësimeve, opinioneve, por vetëm mbi bazën e fakteve dhe provave sipas ligjit”.
Por Edi Rama ka një tjetër version që e nxjerr atë fitues edhe pse nuk festoi, por u përpoq ta tregojë opozitën të nënshtuar para tij dhe ndërkombëtarëve, që gjithë këto kohë ka marrë përsipër t’i rreshtojë si aleatë të tijët kundër opozitës “që kishte frikë nga Reforma”.
Rama: “Ky është Drafti i Reformës kushtetuese dhe në këtë draft nuk lëviz absolutisht asgjë përsa i përket dy çështjeve që mbajtën peng këtë proces deri në këtë orë të fundit; Përfshirjes së Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit në Kushtetutë dhe rolit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
Drafti thotë: Vëzhguesi ndërkombëtar ushton këto detyra:
a) jep rekomandime lidhur me kualifikimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve për pozicionin e anëtarit të komisionit etj..
b) paraqet gjetje dhe mendime mbi çështje që shqyrtohen nga komisioni etj..
c) u jep komisionerëve publikë rekomandime me shkrim për të paraqitur ankim.
ç) kanë të drejtë të marrin të gjithë informacionet menjëherë, të dhënat për personat e dokumentet e nevojshme, me qëllim monitorimin e procesit dhe rivlerësimit.”
Por a qe kryeministri i sinqertë kur lexoi këtë broshurë? Varianti që u mbështet, ka rënë me kohë. Ai nuk u tha shqiptarëve se ky draft është ndryshuar disa herë. Se që kur u shtyp me ndihmën e ambasadës së SHBA ka pësuar ndërhyrje me kërkesë të tij apo me kërkesë të PD-së. Se ky draft u është paraqitur deputetëve në kohën kur opozita kërkonte ende vendet e rezervuara dhe nuk flitej për rolin e ndërkombëtarëve. Ai sigurisht nuk ka harruar përbetimet se vetingu do të ishte i ndërkombëtarëve dhe se PD, që kërkonte që ata të mos kishin rol vendim-marrës, po u binde ndesh partnerëve strategjikë SHBA e BE. Se vetingu nga ndërkombëtarët me rol vendim-marrës ishte vija e kuqe e hequr nga SHBA e BE. Se rolin vendim-marrës të ndërkombëtarëve e ka përcaktuar komisioni i drejtuar nga Fatmir Xhafa.
Rama nuk kishte si t’i përmendte këto fakte në konferencën e tij, në të cilën doli për të marrë meritat. Por ai as mund të gënjente hapur duke u paraqitur shqiptarëve një draft që kishte ndryshuar, për ta shitur për fitore. Që prej kohës së shtypjes së atij drafti palët kanë bërë ndryshime e propozime të shumta.
Më 15 korrik, PD bëri këtë propozim mbi propozimin hibrid të zonjës Nuland, për të ruajtur sovranitetin në veting.
PD: “Vëzhgues nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kanë të drejtë të marrin pjesë në seancat e shqyrtimit të kandidatëve pa asnjë kufizim. Kjo trupë ka të drejtë të ketë akses të plotë dhe të papenguar tek çdo dokumentacion që administron komisioni. Gjithashtu, ONM ka të drejtë të dorëzojë pranë komisionit ad hoc dokumentacion që vërteton kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit në përputhje me Ligjin e Dekriminalizimit dhe që nuk disponohen nga institucionet shqiptare. Pas përfundimit të shqyrtimit të kandidatëv nga komisioni ad hoc, ONM ka të drejtë t’i dorëzojë Kuvendit një raport të detajuar me vlerësim për secilën kandidaturë, sipas kritereve kushtetuese dhe ligjore dhe dokumentave dhe provave të administruara nga komisioni. Raporti i vihet menjëherë në dispozicion çdo deputeti”.
Edi Rama e quajti klithmë ulëritëse dëshpërimi atë që PD e propozoi si mbrojtje të sovranitetit; pra, vendimmarrjen për të përjashtuar kandidatët vetëm nga shqiptarët dhe jo nga ndërkombëtarët, të cilëve u la vetëm një rol shqyrtimi pa asnjë kufizim. Sovraniteti, Ramës iu duk i pakuptimtë.
Rama: “T’i thuash kësaj mbështetje, mbaj distancë, është e papranueshme. Është e qartë që ato lloj kërkesash dhe thirrjesh për hetime ndërkombëtare ishin një tallje. Një tallje e madhe me njerëzit, sepse ne e dimë shumë mirë që të huajt nuk bëjnë hetime të tilla në vende të tjera. Por, kjo kujtesë që po bëj unë tani vlen për faktin se kur talleshin, nuk kujtoheshin për sovranitetin, për pavarësinë e drejtësisë nga të huajt, për futjen e hundës së Amerikës dhe të Europës në punët tona të brendshme. Ndërsa tani që partnerët tanë janë të gatshëm të na ndihmojnë seriozisht, jo duke i bërë ata hetimet, por duke mbështetur me një mekanizëm të strukturuar operacionin e kancerit në sistemin e drejtësisë dhe duke na ndihmuar që të flakim më në fund pas 20 e kusur vitesh jashtë sistemit, gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar, – Partia Demokratike na u kujtua për sovranitetin dhe kërkon të vërë kufirin te thana Amerikës dhe Europës”.
Pas kaq kohësh që e ka mbrojtur aq shumë rolin vendim-marrës të ndërkombëtarëve edhe pse prekej sovraniteti, kryeministri u tregua i pasinqertë kur foli sot për vetingun dhe “për nënshtrimin e PD nda vullnetit të hekurt të popullit e ndërkombëtarëve”. Sepse varianti i Komisionerit Hahn ia hoqi atij rolin e protagonistit, përveç faktit që i dha opozitës atë që kërkonte, një rol rekomandues të ndërkombëtarëve që duhet t’i shoqërojnë rekomandimet e tyre vetëm me fakte dhe të trejtën kushtetuese të kandidatëve për t’iu drejtuar gjykatës kur mendojnë se janë shkelur të drejtat e tyre kushtetuese për të marrë pjesë në një garë për një post publik. /Lapsi.al