Donald Lu dhe Vlahutin kundër linjës SHBA-BE, Han zbardh pazaret e tyre personale

0
165

Bashkimi Europian ka zbardhur dje axhendat personale të ambasadorëve Donald Lu dhe Vlahutin. Ndërsa dy ambasadorët, ai i SHBA dhe i BE, duket se kanë ndjekur gjatë gjithë kohës një axhendë të tyren, në interes të George Soros për kapjen e sistemit të drejtësisë në vend dhe shkeljen e sovranitetit të vendit, pra kundër interesit të qytetarëve shqiptarë. Ndërsa Bashkimi Europian pranoi marrëveshjen paraprake të mesditës së djeshme mes palëve politike për një rol mbikqyrës të ndërkombëtarëve në procesin e vetingut, ambasadorët e SHBA dhe BE, përkatësisht Lu dhe Vlahutin heshtën, pasi ndoshta po mendonin planin e bllokimit të kësaj marrëveshjeje. Marrëveshja e re ishte krejt jashtë parashikimeve dhe kërkesave të tyre, ndaj dhe ata preferuan të mos e përshëndesnin. Por çfarë kanë bërë ambasadorët Lu dhe Vlahutin gjatë gjithë kësaj kohe? Cili ka qenë roli i tyre që nga hartimi i draftit të reformës në drejtësi e deri ditën e djeshme? Ambasadorët Lu dhe Vlahutin kërkuan që 5 sorosianë të përzgjidhnin institucionet e gjyqësorit, me qëllim kapjen e këtij pushteti dhe përdorimin e tij për qëllime kulte. Se Lu ishte në shërbim të Sorosit, ai e tregoi këtë vetë publikisht dy ditë më parë, kur u bë pjesë e një proteste të orkestruar nga shoqata të financuara nga Soros dhe punonjës të Edi Ramës.

 

Prapaskenat e Lu dhe Vlahutin 

A e donte vërtetë reformën në drejtësi për shqiptarët, ambasadori Donal Lu dhe ambasadorja Romana Vlahutin? Një detaj interesant në këtë pikë është dhe refuzimi i tyre pak ditë më parë, për të marrë pjesë në takimin 5-palësh, të ftuar nga kreu i Kuvendit, Ilir Meta, takim ky që përfundoi në 3-palësh. Lu dhe Vlahutin e justifikuan veprimin e tyre destruktiv me arsyetimin se Basha, kur kishte pranuar publikisht të merrte pjesë në takimin e ftuar nga Meta, nuk kishte përmendur se do të negociohej pikërisht mbi draftin e Nuland. Ky ishte preteksti bajat për të braktisur ndryshimet e mundshme të draftit të hartuar më parë në bashkëpunim me Ramën, për interesa kulte. Ndërkohë, presionet e Lu ndaj deputetëve të të gjitha krahëve, por kryesisht të PD, kanë arritur kulmin muajt e fundit. Nga bllokimi i vizave për në Amerikë e deri tek burgu, kjo ka qenë retorika e ambasadorit Lu, drejtuar deputetëve. Qëllimi ishte vetëm një, votimi i draftit të mazhorancës, pa konsensus. Votimi i draftit që lejon ndërkombëtarët të seleksionojnë kandidaturat për gjyqtarë dhe prokurorë. Në mënyrë të paprecedentë, jashtë çdo lloj formati të një diplomati, ambasadori Lu është futur në mbledhjet e partive politike, u ka bërë letër deputetëve, i ka takuar ata kokë më kokë, i ka kërcënuar me bllokim të hyrjes së tyre në Amerikë, me dosje e lista të zeza, me burg e syrgjynosje. Në vazhdën e këtyre presioneve të pashembullta, Lu hodhi dy ditë më parë alarmin se ditën e 21 korrikut, kur në parlament të votohej reforma, qytetarët amerikanë të shmangnin lëvizjet në rrugë, duke lënë të nënkuptohej se mund të kishte trazira. Një apel krejt i panevojshëm, që e deklaruar nga ambasada e SHBA, paralajmëronte dhe një panik për qytetarët shqiptarë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here