Pas moratoriumit/ Prerja e pyjeve për ngrohje, kriteret e shfrytëzimit dhe procedurat

0
264

Qeveria ka miratuar një vendim i cili u jep të drejtën bashkive, që pavarësisht moratoriumit, të shfrytëzojnë pyjet për të plotësuar nevojat e popullatës për ngrohje

Sejrie Baleta

 

 

Pas shpalljes së moratoriumit për pyjet në vend, në një vendim të këshillit të Ministrave janë përcaktuar qartë dhe kriteret dhe rregullat e shfrytëzimit të pyjeve. Në mbështetje dhe të neneve dhe ligjeve përkatëse në ligjin për  nr.9385, datë 4.5.2005, “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”,  janë ndryshuar në nenin 3, pika 1, shkronjat “a” e “c”, dhe 4, të ligjit nr.5/2016, “Për shpalljen e moratoriumit në pyje në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave.  Objekti i këtij vendimi është përcaktimi i kritereve dhe rregullave të shfrytëzimit të pyjeve dhe të shitjes së materialit drusor e të prodhimeve të tjera pyjore e jopyjore, me qëllim plotësimin e nevojave të popullatës me dru zjarri dhe shëndetësimin e pyjeve, pa cenuar rregullat e vendosura nga ligji nr. 5/2016, “Për shpalljen e moratoriumit në pyje në Republikën e Shqipërisë”. Qeveria ka miratuar një vendim i cili u jep të drejtën bashkive, që pavarësisht moratoriumit, të shfrytëzojnë pyjet për të plotësuar nevojat e popullatës për ngrohje. Sipas vendimit, prerja e pyjeve për ngrohje do të realizohet nga kompani private të kontraktuara nga bashkitë ose edhe ndërmarrje publike që do të ngrihen posaçërisht për këtë qëllim nën administrimin e njësive të pushtetit vendor.   Në të dy rastet, këto kompani do të kryejnë vetëm shërbimin e prerjes dhe transportit, ndërsa shitja e druve do të kryhet nga vetë bashkia sipas tarifave të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave.  Përmes këtij vendimi qeveria  synon të zgjidhë një problem të krijuar nga ligji për moratoriumin e pyjeve, i cili bën të pamundur furnizimin e popullatës me dru zjarri, veçanërisht në zonat e thella, ku drutë janë mënyra e vetme për ngrohje.  Përveç shfrytëzimit të pyjeve vendase, burime nga ministria e mjedisit thonë se një tjetër mundësi për plotësimin e nevojave për ngrohje do të jetë edhe importi. Pak kohë më parë, qeveria hoqi çmimin referencë të druve për ngrohje si një masë për të ulur kostot e importit për këtë produkt. të dhënat zyrtare nga doganat tregojnë se për dy muajt e parë të vitit, importi i druve nga jashtë u rrit me mbi 43 për qind nga 16 mijë e 800 tonë që ishte në 24 mijë e 100 tonë.

Kriteret e shfrytëzimit dhe procedurat

Trajtimi dhe shfrytëzimi i fondit pyjor publik/privat, me qëllim sigurimin e nevojave për ngrohje të banorëve të bashkive, rigjenerimin dhe shëndetësimin e pyjeve mbështetet në të dhënat e planeve të mbarështimit dhe inventarizimit të tyre dhe ka si bazë ngastrat e nën ngastrat pyjore. Sasia e shfrytëzimit vjetor, pavarësisht nga nevojat e popullsisë për ngrohje, caktohet brenda mundësisë vjetore të shfrytëzimit, të përcaktuar në planet e mbarështimit të pyjeve shtetërore dhe privat, si dhe nga materiali drusor që rezulton nga realizimi i përmirësimeve pyjore nëpërmjet investimeve. Janë të ngarkuara bashkitë, të cilat kanë për detyrë që  brenda datës 30 prill të çdo viti, pasi vlerësojnë nevojat e komunitetit dhe enteve të tjera publike për dru zjarri, pa tejkaluar mundësinë e shfrytëzimit të pyjeve shtetërore dhe private, dërgojnë për miratim, në drejtorinë përkatëse, në Ministrinë e Mjedisit, kapacitetin dhe mundësinë vjetore të shfrytëzimit. Shfrytëzimi dhe trajtimi i pyjeve nga bashkitë për sigurimin e nevojave për ngrohje, nxjerrja dhe magazinimi i tyre në sheshet e depozitimit, të përcaktuara paraprakisht, realizohet nga:

  1. a) subjekte të licencuara, të kontraktuara nga bashkia, në bazë të legjislacionit në fuqi për prokurimin publik, me objekt prerjen e materialit drusor në këmbë (të paprerë) dhe transportin e tyre;
  2. b) ndërmarrjet e specializuara, të ngritura pranë bashkisë.

Subjektet e përcaktuara në shkronjën “a”, të pikës 8, përpara fillimit të shfrytëzimit duhet të pajisen me kopje kontrate, me procesverbal dorëzimi të ngastrave/nën ngastrave, leje shfrytëzimi dhe vërtetim transporti. Sasia e lëndës drusore së prerë, sipas pikës 8 më sipër, i dorëzohet bashkisë, e cila, më pas, e magazinon dhe e administron atë, sipas planifikimeve të miratuara paraprakisht nga drejtoria përkatëse, në Ministrinë e Mjedisit.

 

Rregullat e shfrytëzimit

 

Subjekti i kontraktuar apo ndërmarrja e specializuar e bashkisë zbaton rregullat dhe kërkesat teknike, metodikat e procedurat për shfrytëzimin e ngastrave/nën ngastrave, të cilat specifikohen në kontratën e lidhur mes palëve, si dhe zbaton kërkesat e skemës teknologjike të shfrytëzimit. Struktura përgjegjëse për pyjet e kullotat në bashki monitoron mënyrën e shfrytëzimit dhe nxjerrjen e materialit drusor dhe, në rastin kur vëren shkelje, ndërhyn, duke kërkuar riparimin e tyre. Projektet e hartuara miratohen nga Drejtoria e Mbrojtjes dhe Trajtimit të Pyjeve në Ministrinë e Mjedisit. Për plotësimin e nevojave të familjeve hartohet lista, në bazë fshati, nga administratorët e njësive bashkiake, miratohet nga drejtoria e shërbimit pyjor në bashki dhe, pas pagesës, sipas tarifave përkatëse në fuqi, bëhet plotësimi i nevojave.

 

Shitja e materiale drusore

Shitja e materialit drusor të pyjeve publike, me qëllim ngrohjen e popullsisë, bëhet vetëm nga bashkitë, drejtpërsëdrejti te popullata apo enti shtetëror, ndërkohë që transporti i lëndës drusore për ngrohje mund të realizohet nëpërmjet të kontraktuarit të saj, nga vend depozitimi deri në destinacionin e blerësit. Shitjes i nënshtrohet dhe materiali drusor i sekuestruar. Në këtë rast, procesverbali i sekuestrimit është pjesë e dokumentacionit të shitjes. Në rast se nga shfrytëzimi i pyjeve publike të territorit të një bashkie ka tepricë prodhimi të materialit drusor, pas plotësimit të nevojave të banorëve të saj dhe enteve të tjera publike, që veprojnë në të, bashkia këtë tepricë ua shet bashkive të tjera të vendit, referuar kërkesës së këtyre të fundit.

 

Kontratat ekzistuese për shfrytëzimin e fondit pyjor publik dhe privat

Subjektet që kanë fituar me ankand të drejtën e shfrytëzimit të ngastrave/grup-ngastrave, me dhe pa rrugë autopyjore, dhe kanë ende kontrata të vlefshme me Ministrinë e Mjedisit apo drejtoritë e shërbimit pyjor, kanë të drejtën e shfrytëzimit të tyre deri në prerjet përfundimtare, pas rinegocimit të tyre me bashkinë, në territorin administrativ të së cilës ndodhet objekti i kontratës, në funksion të shkronjave “a” e “c”, të pikës 1, të nenit 3, të ligjit nr.5/2016, “Për shpalljen e moratoriumit në pyje në Republikën e Shqipërisë”. Shfrytëzimi i ngastrave/grup-ngastrave bëhet vetëm me qëllim shëndetësimin e pyjeve, pastrimin e mbeturinave dhe për plotësimin e nevojave të banorëve të bashkive dhe enteve të tjera për dru zjarri. 31. Koha e pezullimit të kontratave, që nga hyrja në fuqi e ligjit nr. 5/2016, “Për shpalljen e moratoriumit në pyje në Republikën e Shqipërisë”, dhe deri në rinegocimin, për pasojë rilidhjen e tyre me bashkitë, do të shtyjë afatin e përfundimit të kontratës ekzistuese për aq kohë sa është periudha e ndërprerjes (pezullimit). 32. Këstet e pagesës sipas kontratave, të lidhura me Ministrinë e Mjedisit dhe me ish-drejtoritë e shërbimit pyjor, të cilat nuk janë likuiduar pas hyrjes në fuqi të ligjit të moratoriumit, likuidohen menjëherë pas lidhjes së kontratave të rinegociuara me bashkitë, në llogaritë bankare të këtyre të fundit.

 

Rregullat e shfrytëzimit për shitje

Grumbullimi nga pylli i prodhimeve të dyta pyjore, si rrënjë shqope, mareje, bushi etj. dhe i boçave të pishës realizohet nga bashkia, me anë të një subjekti të licencuar, të kontraktuar, referuar legjislacionit në fuqi për ankandet publike. . Në raste emergjente, dëmtimesh nga katastrofat natyrore e zjarret, pavarësisht moshës së pyjeve, bashkia zhvillon edhe ankande të tjera, pas miratimit me urdhër të ministrit të Mjedisit. Planifikimi i mundësisë vjetore të shfrytëzimit të pyjeve, damkimi i drurëve pyjorë dhe trajtimi e shfrytëzimi i pyjeve në të gjitha fazat realizohet në përputhje më kërkesat e legjislacionit në fuqi për pyjet dhe atij për inspektimin dhe janë objekt i inspektimit të Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve. Në rastet kur bashkia nuk i plotëson nevojat e komunitetit të saj me lëndë drusore, ajo gëzon të drejtën e plotësimit të tyre nga fondi pyjor privat, sipas dispozitave ligjore të ligjit nr. 7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, por procesi i shfrytëzimit të këtij fondi, deri në shitjen e produktit te komuniteti apo entet e tjera, realizohet nga bashkia, sipas përcaktimeve të pikës 8, të këtij vendimi. Dokumentacioni teknik për shfrytëzimin e pyjeve dhe formati i tij është i unifikuar. Ai hartohet nga Ministria e Mjedisit, miratohet me urdhër të ministrit dhe u njoftohet bashkive brenda 30 ditë, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Vendimi nr. 394, datë 21.6.2006, i Këshillit të Ministrave, “Për kriteret dhe rregullat e shfrytëzimit të pyjeve dhe shitjes së materialit drusor e prodhimeve të tjera pyjore e jo pyjore”, të ndryshuar, dhe vendimi nr. 22, datë 9.1.2008, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe kritereve të administrimit të pyllit komunal”, shfuqizohen me hyrjen në fuqi të këtij vendimi. Ngarkohen Ministria e Mjedisit dhe bashkitë për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here