Dy makina janë përplasur ditën e sotme në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavijë, ku për pasojë kanë humbur jetën 3 persona, mes tyre 2 fëmijë. Ngjarja ka ndodhur pranë fshatit Mashkullorë.
Sipas informacioneve zyrtare nga policia lokale bëhet me dije se aksidenti ka rezultuar fatal për Albana Hasanin, punonjëse policie, D.D., vajza e saj 9 muajshe, L.L., nga Kosova 1 vjeç e gjysmë, ndërsa 8 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur. Mësohet se një prej fëmijëve kishte ngelur i bllokuar në automjet. Po sipas këtyre burimeve, në aksident u përfshinë një furgon me targa AA 760 LI qe drejtohej nga shtetasi H.D. me një mjet tip “Nissan” me targa zvicerane ZH 750960 qe drejtohej nga shtetasi I.D. Pohohet se punonjësja e policisë udhëtonte në furgonin me targa shqiptare, aty ku u humbi jetën edhe fëmija. Ndërsa e mitura 1 vjeç e gjysmë u gjet në automjetin me targa zvicerane. Ndërkohë, punonjësit e policisë kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti tragjik. Sakaq, personat e plagosur si fillim morën mjekimin pranë Spitalit të Gjirokastrës dhe më pas dy prej tyre u nisën me helikopter drejt Tiranës për mjekim të specializuar ndërsa 5 të tjerë po transportohen me ambulance. Ndërkaq, vijojnë hetimet për zbardhjen e identitetit dhe rrethanave të aksidentit. Sipas informacioneve që përcjellin familjarët e viktimës, efektivja e policisë, mësohet se po kthehej nga pushimet në Sarandë, ndërsa ky rezultoi të ishte udhëtimi i saj i tmerrit së bashku me vogëlushen e saj. Ndërsa në automjetin me targa zvicerane udhëtonte çifti i bashkëshortëve me fëmijën e tyre 1 vjeç e gjysmë, i cili humbi jetën
MJEKËT E SPITALIT TË TRAUMËS: 2 FËMIJË DHE NJË BURRË NË GJENDJE KOME
Tre persona, të cilët janë transportuar me urgjencë me helikopter drejt kryeqytetit dhe që ndodhen aktualisht në reaminacionin e Spitalit të Traumës ndodhen në gjendje kome. Këtë fakt e bënë publik vetë bluzat e bardha. Sipas drejtorit të ‘Traumës’ Bushi dhe mjekut, gjendja e tre të plagosurve paraqitet kritike për jetën pasi janë intubuar dhe kanë marrë fraktura. “Tre vetë kanë ardhur në gjendje të rëndë. Dy janë fëmijë një i moshën 4-5 vjeç, një tjetër është 10 vjeç. Janë të intubuar, në gjendje kome. Një burrë i paidentifikuar është paraqitur në gjendje të rëndë.”, tha Gjovalin Bushi për gazetarët. Nga ana tjetër mjeku i ‘Traumës’ pohoi se një prej fëmijëve ka marrë goditje të mëdha në kokë. “Në gjendje të rëndë është një prej fëmijëve, pasi është goditur në kokë. Madje edhe burri, rreth 37-vjeç paraqitet rëndë.”, pohoi mjeku. “Rrugës janë edhe 5 të aksidentuar (aktualisht ne Fier), dhe janë me fraktura.”, tha Bushi.BW