Pensionistët duhet të presin vitin 2019 për rritjen e pensioneve, ndërkohë që deri atëherë duket se duhet të kënaqen me indeksimin e tyre. Këshilli i Ministrave ka zbardhur programin buxhetor afatmesëm 2017-2019, ku vërehet se fondet për politika të reja pensionesh janë zero për vitet 2017 dhe 2018, ndërkohë që për vitin 2019 për këtë qëllim është parashikuar fondi prej 1.4 miliardë lekë, afërsisht 10 milionë euro.
Ndërkohë që duket se me më shumë fat do të jenë nëpunësit e administratës publike. Ata do t’i gëzohen rritjes së pagave që në vitin 2017, i cili është edhe vit zgjedhor. Për këtë vit, Qeveria ka pashikuar një fond prej 1 miliardë lekësh në zërin politika të reja pagash. Ky zë do të rritet në 1.5 miliardë lekë në vitin 2018, për të shkuar në 2 miliardë lekë në vitin 2019.
Rritje fondesh në vitin zgjedhor 2017 janë parashkiuar edhe për kompensimin financiar të pronarëve, në dispozicion të të cilëve për këtë vit do të jenë 4 miliardë lekë, nga 3 miliardë në vitin 2016. Për dy vitet pasardhës, për kompensimin e pronarëve janë parashikuar të përdoren nga 5 miliardë lekë nga buxheti i shtetit.