Policia e Shkodrës ka vënë 5 të rinj në pranga si pjesë e një grupi kriminal të kultivimit të bimëve narkotike. “Sot në datë 25.07.2016 nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Renda në DVP Shkodër është finalizuar me sukses operacionin i koduar
“PREKAL 2016”. Operacioni policor është zhvilluar në kuadër të hetimeve proaktive te filluara nga Specialistët e DVP Shkodër me qëllim goditjen e veprimtarisë së paligjshme të kultivimit të bimëve narkotike”, njofton policia. Në kuadër të këtij Operacioni Policor, u bë e mundur ekzekutimi i urdhrave të ndalimit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për shtetasit; 1. Aleksandër Podja , 22 vjeç, banues në Bardhaj Shkodër. 2. Simon Podja, 24 vjeç, banues në Bardhaj Shkodër, (i dënuar më parë për vjedhje). 3. Kristjan Cingare, 23 vjeç, banues në Bardhaj Shkodër. 4. Edmond Nika, 22 vjeç, banues në Prekal Shkodër. 5. Vido Dakaj, 29 vjeç, banues në Hot i Ri Shkodër, (i dënuar më parë për kundërshtim të punonjësve të policisë). Po kështu është shpallur në kërkim shtetasi B.B., 30 vjeç, banues në lagjen Guerrile Shkodër, (i ndaluar më parë për veprën penale të plagosjes së lehtë). Shtetasit e lartpërmendur në bashkëpunim me njeri-tjetrin është dokumentuar se janë përfshirë në aktivitetin kriminal të kultivimit të bimëve narkotike dhe konkretisht, kanë kultivuar një parcele me 609 rrënjë bime narkotike cannabis sativa, e evidentuar, sekuestruar dhe asgjësuar në datë 18.07.2016 në vendin e quajtur “Kodra” pranë ish kabinës elektrike në fshatin Prekal Shkodër, në rrugë Prekal-Kir. Dokumentimi i autorësisë së veprës penale është finalizuar pas një hetimi të përbashkët 2-mujor me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 609 rrënjë të dyshuara narkotike kanabis sativa, 6 telefona celulare, e objekte të tjera. Materialet Procedurale i kaluan Prokurorisë Shkodër për veprime të mëtejshme.