Ju jeni kthyer nga pushimet e fundjavës dhe po mendoni se ku do të shkoni kur të merrni pushimet e gjata të verës? Mund të shkoni ku të doni, kuptohet në varësi të të ardhurave tuaja, por në këtë vend që do t’ju prezantojmë më poshtë as mos e merrni mundimin të shkoni, nëse nuk doni të përfundon i në spital me ndonjë infeksion të rëndë lëkure e të mos e merrni më veten kurrë.
Bëhet fjalë për plazhin që mund të shikoni në videon e mëposhtme, i cili ndodhet në afërsi të zonës së Plepave. Aty ku shumë persona kanë preferuar të pushojnë e të freskohen gjatë këtyre ditëve të nxehta, shumë pranë, për të mos thënë që në të njëjtin vend derdhen edhe ujërat e zeza, të cilat janë gjithmonë burim infeksioni e papastërtish.
“Pershendetje jeta osh qef shikoni cfare behet ne plazhin e durrsit , derdhen ujrat e zeza mu ne breg te detit dhe njerzit qe te gjithe lahen aty!”, – thotë raportuesi, i cili ka sjellë pamjet.
Dhe me të vërtetë, si ka mundësi që njerëzit të pranojnë të lahen në një vend ku problemi është tërësisht i dukshëm dhe i qartë? Normalisht që nuk presim më ndonjë reagim nga ana e institucioneve përkatëse, pasi nuk dihet se sa kohë mund të ketë që këto ujëra të zeza derdhen në det, jashtë çdo standardi. Kush është subjekti, individi apo personi që shkarkon në këtë zonë këto papastërti? Saktësisht nuk dihet, por nëse nuk është ndonjë biznes privat që ka përtuar të bashkëpunojë me bashkinë e Durrësit për të bërë kanalizimet përkatëse, atëherë me siguri që banorët e zonës e më saktë pronarët e pallateve janë shkaktarët e kësaj katrahure mjedisore.