Mungesat e shumta në radhët e Salzburgut nuk e shqetësojnë trajnerin e skuadrës austriake, Oskar Garsia, i cili beson jo vetëm se skuadra e tij mund të kualifikohet ndaj Partizanit, por edhe të mbyllë gjithçka që në takimin e parë në Elbasan.
“Kemi disa mungesa të rëndësishme për këtë sfidë por gjithsesi besojmë se mund ta kalojmë më sukses këtë përballje. Këtu kemi ardhur për të fituar, pasi unë gjithmonë e përgatis skuadrën për fitore dhe asnjëherë për barazim.
Do të kërkojmë të mbyllim që në ndeshjen e parë çështjen e kualifikimit, pavarësisht se nuk jemi në formën tonë më të mirë”, deklaroi trajneri Oskar Garcia në konferencën e fundit për shtyp në Elbasan.
Ai tregoi se kishte njohuri të plota për Partizanin dhe se ekipi shqiptar nuk do të ishte një surprizë për austriakët, ashtu siç kishte qenë për hungarezët që u gjendën të papërgatitur përballë skuadrës së Sormanit.
“Kemi analizuar deri në detaje çdo lojtar të kundërshtarit, e kemi bërë bashkë me gjithë ekipin teksa kemi ndjekur të dyja ndeshjet që Partizani ka bërë me Ferencvaroshin. E respektojmë si kundërshtar por nëse luajmë mirë besoj se do të arrijmë të marrim rezultat.
Për ne nuk ka shumë rëndësi nëse luajmë jashtë apo brenda pasi gjithmonë përpiqemi të diktojmë ritmin dhe të fitojmë dhe këtë do të kërkojmë të bëjmë dhe në ‘Elbasan Arena’”, deklaroi trajneri spanjoll.