Riformulimi i ligjit parashikon dënimin me burg, nga dy deri në pesë vjet, për personat që mbajnë pa leje armë, bomba e lëndë plasëse në mjedise publike
Miratohen në Parlament ndryshimet në kodin penal qëe lidhen me armëmbatjen pa leje. Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar nenet 73-77, mori dje 97 vota pro, 1 kundër dhe 1 abstenim, E vetmja votë kundër ishte e deputetit demokrat Eduart Halimi i cili tha se nuk ishte dakord me uljen e dënimit për armëmbajtjen pa leje. Ndryshimet në kodin penal u cilësuan “të domosdoshme” nga ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, gjatë seancës së djeshme në Kuvend. “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka në esencën e tij një element, kthimin në normalitet të parimit të proporcionalitetit, që do të thotë ta dënosh dikë në përputhje me krimin që bën. Dhe ne kemi bërë ekzaktësisht këtë gjë, kemi marrë të gjithë nenin e armëmbajtjes pa leje dhe e kemi kthyer në logjikën proporcionale. Kanë qenë dënime nga 3 deri në 7 vjet psh për paragrafin e parë dhe ne e kemi bërë deri në dy vjet. Bëhet fjalë për burg, jo për kamp pushimi dhe po flasim për armëmbajtje dhe jo për ndonjë krim tjetër. Kemi pasur deri në 25 vjet për armëmbajtje pa leje, e paprecedentë, njësoj si për terrorizëm. Jemi munduar ta kthejmë në normalitet të gjithë nenin e Kodit Penal që flet për armëmbajtjen pa leje dhe dua te theksoj se emergjenca e miratimit të këtij ligji ka atë bëjë me zbatimin në praktikë, sepse kapen njerëz përditë me armëmbajtje pa leje dhe nuk dënohen dot për shkak se Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar këtë nen.”- tha ai.
Vakumi
Riformulimi i ligjit parashikon dënimin me burg, nga dy deri në pesë vjet, për personat që mbajnë pa leje armë, bomba e lëndë plasëse në mjedise publike. I konsideruar nga Gjykata Kushtetuese si i ashpër pasi sanksiononte burgim nga 7 deri në 15 vjet, gati të njëjtë si për veprat e trafikimit, mungesa e kësaj dispozite ka shkaktuar konfuzion në gjyqësor. “Është domosdoshmëri miratimi sot dhe pa vonesë i këtyre ndryshimeve, pas vendimit të Kushtetueses, pasi çdo person që kapet në flagrancë, arrestohet dhe çohet për gjykim për armëmbajtje pa leje nuk dënohet dot, dhe ky është një vakum në ligj, që ne duhet ta plotësojmë”, u shpreh Manjani. Po ashtu ministri i Drejtësisë tha se një tjetër moment i vendimit të Kushtetueses, ka kthimin në normalitet të parimit “të proporcionalitetit”. “Këtu nuk po flasim për një krim, por që të kthejmë në normalitet nenin e kodit penal që flet për armëmbajtjen pa leje. Është emergjencë, pasi ka të bëjë me zbatimin praktik të ligjit”- tha ai.
Halimi kundër
Deputeti demokrat Eduart Halimi u shpreh dje kundër uljes së dënimit për ata që mbajnë armë pa leje. Ai ishte i vetmi deputet që votoi kundër projektligjit dhe këtë e argumentoi me fjalimin e tij para votimit. “Jam kundër uljes së dënimit për ata që dalin me arme pa leje në brez. Qeveria e uli nga 15 ne 7 vjet dhe kjo për mua është e paimagjinueshme. Duhet reformuar paketa për armët. Kush i mban në shtëpi, t’i mbajë me leje. Kur i mbajnë pa leje duhet të dënohen ashpër. Nuk është recetë rritja e masës, por është zgjidhje që si prind, dhe deputet duhet të them nesër: unë e bëra detyrën time. Kaq kam. Siguria publike është disaster, krime pa fund, vrasje, grabitje, të gjitha me armë. Çunat e krimit lëvizin me armë në brez, me leje de facto nga qeveria, por jo me leje de jure. Çunat e krimit, vranë drejtorin e bankës, vodhën banka, vjedhin Rinasin të gjitha me armë”, tha ai.
Problematika e projektligjit për armëmbajtje pa leje nga nisma e Tahirit tek ndryshimet e Manjanit
Në dhjetor të 2015, Gjykata Kushtetuese e cilësoi si antikushtetuese ashpërsimin e masave për armëmbajtjen pa leje, një nismë kjo e Ministrisë së Brendshme në vitet 2013- 2014. Në vitin 2014, qeveria miratoi shtimin e masës së dënimit për rastet e mbajtjes pa leje të armëve dhe eksplozivit nga 5-8 vjet burgim dhe në rrethana cilësuese nga 15-20 vjet burgim, kur eksplozivi mbahet, transportohet për qëllime kriminale. Sipas dispozitave që u shfuqizuan nga Kushtetuesja, parashikohej se çdo person që arrestohej për armëmbajtje pa leje rrezikonte një dënim nga 7 – 15 vite burg. Ky marzh i lartë i dënimit, thuhet në vendim, është antikushtetues dhe për këtë fakt shfuqizohet. Edhe pika 6 e këtij neni u shfuqizua pasi ishte parashikuar një marzh të lartë dënimi nga 15 deri 20 vjet burg, në rastet kur personat arrestohen me më shumë se një armë apo janë edhe përsëritës të kësaj vepre penale. Edhe ky paragraf, sipas Gjykatës Kushtetuese, u shfuqizua, pasi bie ndesh me nenin 17 të Kushtetutës, ku parashikohet, ndër të tjera, se “kufizimi i të drejtave dhe lirive të njeriut duhet të jetë në përpjesëtim me gjendjen që ka diktuar atë”. Ndryshimet ne Kodin penal të miratuar ditën e djeshme në Kuvend u cilësuan të domosdoshme, pasi siç u shpreh edhe më herët ministri i drejtësisë Ylli Manjani ligji i mëparshëm kishte një absurditet, sepse armëmbajtja dënohej njësoj si terrorizmi.. Kodi penal i shfuqëzuar nga Gjykata Kushtetuese parashikonte deri në 15 vite burg për armëmbajten pa leje, ndërkohë që me ndryshimet e propozuara nga Ministria e Drejtësisë këto dënime zbuten ndjeshëm. Sipas propozimit ne Kod, mbajtja e municioneve luftarake, pa leje përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet. Në kod cilësohet se armëmbajtje pa leje në banesë, dënohet deri në tre vjet burgim, ndërsa për armëmbajtjen e armëve shpërthyese ose lëndëve plasëse, parashikohet burgim nga një deri në katër vjet. Për mbajten e armëve shpërthyese ose lëndëve plasëse në automjet ose mjedise publike, parashikohet burgim nga tre deri në shtatë vjet. Për prodhimin, shitjen apo blerjen e armëve dhe municioneve luftarake, kodi parashikon dënim nga pesë deri në dhjetë vjet.
Manjani: Koalicioni PS-LSI funksionon, opozita kontribuoi në reformën e drejtësisë
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani në një intervistë për Ora-News hodhi poshtë zërat për një krisje të koalicionit PS-LSI. “Sigurisht që funksionon për sa kohë që ka ide të përbashkëta, ekipe të përbashkëta, ka ende për të arritur nga programi. Ka ende kohë për të eksploruar mundësi të reja bashkëpunimi tani dhe në të ardhëm dhe ka shumë gjëra që na bashkojnë. Ka shumë helm jashtë marrëdhënies PS-LSI që bëjnë gjithmonë atë, që hë se ra sot hë se ra nesër. Ndoshta 90% e këtij helmi vjen nga persona që janë jashtë strukturave të partive. Ashtu si ka edhe mendime brenda strukturave tona. Por e përsëris, si në PS edhe në LSI kur vjen puna për vendimmarrje ka filtra, përvoja në ka bërë. I futim këto informacione në filtra që të dalë më e mira pavarësisht ndonjë qëndrimi për çështje konkrete apo deklarimeve individuale të deputetëve apo personave të veçantë që në mjedisin e të majtës shqiptare janë të lirë të komentojmë”, deklaroi ai. Më tej në këtë kontekst ai tha se,: “Ne kemi pasur pikëpamje të ndryshme që në fillim në 2013, kemi pasur edhe program të ndryshëm nga PS, por sigurisht kemi toleruar duke qenë se PS është parti kryesore qeverisëse, kishte kalin e betejës në disa prej çështjeve të rëndësishme sic është çështja e taksës progresive, shëndetësia falas, çështja e koncesioneve e cila ka provokuar disa debate. Pra ne mendojmë që Shqipëria të mos jepet me koncesion kaq masivisht, por kjo nuk e ndalon PS që rendë pas koncesioneve”. Nga ana tjetër ministri i Drejtësisë tha se fjala konsensus ishte e panegociueshme për LSI. “Ne kemi bërë gjithçka. Ka qenë projekti jonë i përditshëm për të bërë të mundur që palët politike mos rreshtohen si palë, por si kontribuese dhe me gjithë vështirësitë që ka dialogu politik palët janë për tu përgëzuar, sepse nuk mund të themi që nuk është bërë një punë voluminozë, nuk mund të themi që nuk janë përfshirë shumë ekspertë pavarësisht që vendimin e merr parlamenti dhe jo ekspertët, sepse kjo është kuptimi i fjalës që Shqipëria nuk është republikë ekspertësh, por është një republikë parlamentare dhe ashtu siç duhet përgëzuar opozita meriton kreditet maksimale që në këto kushte të mungesës së dialogut, dha kontribut teknik. Ishte shumë e përfshirë dha shumë në këtë proces dhe si rezultat arritëm që të kishim një vendimmarrje konsensuale”.