“Me heshtjen bëhet mëkat, kur në vend qe të protestohet me zë të lartë, heshtet. Kjo i shndërron qytetaret në njerëz të poshtër!” – Abraham Lincoln
Ka një matematikë të thjeshtë të krimit sot në Shqipëri. Vota kushton 20 mijë lekë të vjetra. Një ditë pune në parcelat e kanabisit është 20 mijë lekë të vjetra. 3 muaj punë në parcelat e kanabisit janë 1.8 milionë lekë të vjetra (që nga ky moment e më poshtë do të kem parsysh vetëm lekët e vjetra). Një familje bujqish që me punë të ndershme paguhet vetëm 6 mijë lekë dita, kur ka shansin të punojë për 20 mijë lekë, i duket sikur ‘nafaga e madhe’ ka zbritur prej qiellit.
Një mik amerikan që ka ardhur si misionar ungjillor për të shërbyer në fshatrat e Tiranës, po më tregonte se i bënte përshtypje sesi çdo mëngjes rreth orës 7 ose 8, disa furgonë me xhama me perde, vijnë në fshatin ku shërben ai, mbushen me 70 apo 80 gra, të cilat i çojnë të punojnë në parcelat e kanabisit.
Këto gra kthehen në mbrëmje në pikën ku janë marë me furgona, e ndërsa zbresin nga mjeti i transportit marin në dorë 20 mijë lekëshin e ditës së punës.
Misionari amerikan kishte hyrë në njërën prej shtëpive ku gruaja bënte këtë punë çdo ditë. Gruaja i kishte treguar se nuk u lejohet të shohin as rrugën nga shkojnë e nga kalojnë, por thjesht i zbresin drejt e në parcelat e kanabisit ku ia nisnin menjëherë punës. Parcelat mbrohen nga njerëz të armatosur. Madje kjo familje i kishte rrëfyer misionarit amerikan, se kështu është në Tiranë, kështu është në çdo fushë e tokë, pllajë e gërxhe të Shqipërisë. Kushëriri i tyre, nuk shkonte dot në tokën e tij në Fushë Arëz sepse të fortët e zonës, ia kishin pushtuar atë e ia kishin mbjellë me kanabis. Dhe ia kishin bërë të qartë atij se nëse i afrohej tokës së tij, do linte kokën e rrezikonte familjen.
Në një qytet lart në Verilindje, janë dy të fortë, kishte rrëfyer familja, që janë zotërit e mbjelljes së kanabisit. Njëri prej tyre ka aq mend e shkollë, saqë kur e pyesin njerëzia se përse bie tërmeti, ai përgjigjet se është një ka që punon nën tokë, e kur lëviz këmbën kau, bie tërmeti. E kur sheh fytyrat e dëgjuesve që nuk dinë nëse duhet të qeshin apo të bëjnë si të habitur për ti bërë qejfin Të fortit të kanabisit, shton plot siguri: thoni shyqyr që spo na e kap miza kaun, se do na ishte tund dynjaja e shkretu Shqipëria. Në këtë qytet të skajit verlindor, të gjithë janë zemërngrirë e kanë kujdes e frikë se mos fillon lufta mes dy Të fortëve të kanabisit. Po filloi lufta mes tyre, u shkon dëm e gjithë puna fshatarëve, sepse nuk do shesin dot asnjë rrënjë. Nëse mrekullia ndodh, e dy të fortët që nuk e duan hiç njëri tjetrin, nuk ia nisin luftës, atëherë kau le të tundet sa të dojë, e rëndësishme është që korrja dhe shitja është e sigurtë.
Misionari i bërë kureshtar kishte shkuar në Jug e në Veri dhe kishte parë me sytë e tij këto të vërteta. Në Plug të Lushnjës kishte takuar fshatarë që nuk mernin dot nën kontroll tokën e tyre, sepse të fortët e fshatit, ua kishin zaptuar tokën për ta mbjellë me kanabis. Madje njëri prej tyre kishte vrarë edhe djalin e xhaxhait të tij, për ta bërë shembull e që askush të mos kishte më pretendime për tokën e zaptuar. Burg kishte bërë shumë pak, se e kishin nxjerrë me kartelë, e kështu ai mund të bënte çdo gjëmë e mos të mbante më përgjegjësi. Në fshatrat e Fierit, në Bregun e Lumit në Vlorë, në Këlcyrë, Tepelenë, në Krujë e Fushë-Krujë, ngado. Fshatarë të dobët që nuk punonin dot tokat e tyre, sepse të fortët e fshatrave me armë në dorë ua kanë zaptuar për ti mbjellë me kanabis. Këto histori po mi tregonte sot, ndërsa po bëhej gati për tu kthyer në SHBA, miku im misionar.
E unë u trishtova shumë. Sepse e kuptova që matematika e krimit, ka marë zvarrë të ardhmen e vendit tim. Mu kujtuan libra e histori, studime e rrëfime, dokumentarë e raportime, sesi kjo matematikë krimi ka mbytur shoqëri të tjera afër dhe larg Shqipërisë.
Diku kam lexuar se kur Të Fortët e Drogës dhe Kanabisit, bëjnë bamirësi duke paguar bujarisht punëtorët e tyre, i shndërrojnë këta edhe në votues të bindur. Pablo Eskobari e kishte ëndërr që të bëhej President i Kolumbisë një ditë. Deputet ia doli të bëhej, ndonëse e detyruan të dilte jashtë atij Parlamenti shumë shpejt.
Jugu i Italisë është i mbushur me lagje, qyteza e fshatra të tëra që janë nën Omerta. Të gjithë e dinë, të gjithë heshtin, të gjithë janë pajtuar, dorëzuar ose bashkëfajësuar me krimin që ndodh aty. Të fortët e Drogës e Kanabisit, paguajnë bujarisht por edhe dokumentojnë, me foto e filmime, punën kriminale që bëjnë bujqit e gjorë. Kur vjen dita për të votuar, nuk do tua blejnë më votën 20 mijë lekë. Jo. Do tu çojnë foton e punës në parcelat e kanabisit dhe do ti kërcënojnë me burg. Bujku i këputur, i pashkollë, kur të marë atë foto një ditë të bukur poshtë derës, do të bëhet votues i bindur sepse nuk mund ta ushtrojë lirinë e votës, ndërsa ka rënë nën kllapinë e vargonjtë e bukës skllavërore që i vjen nga kanabisi. Kush mbjell, kultivon, e punon në parcela, bëhet pjesë e ushtrisë së skllevërve që prodhojnë para për transportuesit dhe shitësit. Sigurisht, ushtria e skllevërve është edhe ushtria e votuesve të deputetëve a Kryetarëve të Bashkive trasportues dhe shitës të kanabisit.
Të mos harrojmë këtu edhe numrin e larte të Të Fortëve të kanabisit që kanë vënë nën këmbë fshatrat e qytezat e tyre.
Kjo ushtri të fortësh, kujdeset që ushtria e skllevërve të mos ketë asnjë mundësi lëvizjeje, shprese a daljeje nga rreshti.
Kush del në fshat kundër të Fortëve të kanabisit, vetvetiu linçohet, i nxihet jeta ose edhe përfundon shumë keq.
Pak a shumë kështu ka ndodhur në Kolumbi, Meksikë, Siçili, e po kështu po ndodh edhe në Shqipëri.
Në vitin 2013 ne hymë në epokën e Kuvendit me horra, vrasës e trafikantë, e në vitin 2015 disa prej këtyre i bëmë edhe Kryetarë Bashkie.
Po vazhdoi me këtë ritëm ky lulëzim i nafagës së madhe për buqjërit që shesin votën sa herë ka zgjedhje për 20 mijë lekë, e bëhen bashkëfajëtorë në mbjelljen e kultivimin e kanabisit për 20 mijë lekë dita, mos u çudisni nëse Kuvendi i ardhshëm do të jetë i mbushur me Zotërit e Kanabisit dhe të Fortët e Kanabisit. Mos u çudisni as nëse ai tipi që e di se tërmetin e shkakton kau që lëviz këmbën, bëhet Ministër i Turizmit.
Të tillë si ai tipi kemi plot edhe në Kuvendin e sotëm edhe në Bashkitë që kanë 1 vit me Kryetarë të rinj.
E gjitha kjo po ndodh në një kohë kur të gjithë po flasin e sokëllijnë për Reformën në Drejtësi. Reforma u votua, e po ashtu kam bindjen se edhe 7 Ligjet që do ta bëjnë funksionale këtë Reformë, do të votohen në gusht.
Atëherë përse kaq shumë zhurmë, kaq shumë propagandë, kaq shumë tifozëri e kërcëllitje dhëmbësh për një Reformë në Drejtësi që na është bërë si dashuria në kohërat e kolerës?
Pse kaq shumë konfliktualitet, pse kaq shumë sqeprrahje e nxehtësi deklaratash politike për një Reformë në Drejtësi në kohërat e kanabisit, në një kohë që të gjithë e dinë se do të votohen edhe 7 Ligjet njëlloj si u votuan ndryshimet kushtetuese?
Mos vallë Reforma në Drejtësi dhe 7 Ligjet, po bëhen mbuloja e velloja e Shqipërisë që të mos kuptohet se ky vend është bërë nuse kanabisi?
Pse nuk bëhet pushim në këtë verë të nxehtë pune për nafagën e madhe?
Apo duhet shumë zhurmë kinse Reformatorësh e kinse Antireformatorësh, që të mbarojë e qetë puna e këtij 3 mujori deri në korrje, e pastaj le ta kapë miza kaun e nami u bëftë?
Reforma në Drejtësi, është bërë si duvaku për nusen që askush të mos ia shohë fytyrën e vërtetë.
Dhe Shqipëria e konsensusit, ia heq duvakun nuses. Ky është problemi i vërtetë. Shqipëria e konsensusit, krijon paqe sociale, e paqja sociale jep mundësi për frymëmarrje sociale e ndoshta për zgjim vëmendjeje e ndërgjegjeje. Zgjimi i vëmendjes e ndërgjegjes, vë në punë makinerinë morale të qytetarëve dhe atë ligjore të shtetit.
Ndaj edhe është kaq armiqësor, i padëshiruar e i kundërshtuar konsensusi. Konsensusi kërkon bashkëautorësi, bashkërendim e bashkëpunim. Bashkërendimi krijon klimë mirëbesimi. Mirëbesimi krijon paqe e normalitet. Paqja dhe normaliteti krijojnë nevojë për ligjshmëri e rregulla loje. Ligjshmëria dhe rregullat e lojës riaktivizojnë ndërgjegjen qytetare. Ndërgjegja qytetare krijon ripërtëritjen morale. Ripërtëritja morale sjell e ushqen aspiratat për më të mirën. Aspiratat për më të mirën, hapin sytë e kërkojnë alternativat. E kështu me rradhë, kemi garë të ndershme, meritokraci, ligjzbatim, llogaridhënie dhe përgjegjshmëri.
Konflikti dhe lufta kanë nevojë vetëm për ushtarë e skllevër, të fortë dhe të bindur.
Shqipëria e konsensusit përkundër Shqipërisë së kanabisit, kjo është çështja sot.
Reforma në Drejtësi ose është fuqia e Shqipërisë së konsensusit për ta transformuar vendin tonë me sytë nga Perëndimi, ose është duvaku i Shqipërisë së kanabisit për të na mbuluar e për të na e mbajtur fshehur nga Perëndimi.
Shqipërinë nuse me duvak, që mbulon të vërtetën e kanabisit, vështirë se mund ta martojmë me Perëndimin, edhe pse i pari i shtëpisë, Kryeministri ynë, thotë se na ka gjetur Krushq të mirë në Perëndim.
Kështu si janë punët, ose shkesët e Kryeministrit kanë mashtruar Krushqit, ose Krushqit do të na e kthejnë mbrapa nusen pasi ti heqin duvakun.
Ndaj unë besoj se është detyrim politik, moral, historik, patriotik, që të mos heshtim. Të ngrihemi të gjithë njëzëri për të thënë të vërtetën. Të luftojmë për të vërtetën. Ta kërkojmë të vërtetën e ta jetojmë të vërtetën.
Kush na ble votën 20 mijë lekë, e ka matematikën e krimit të thjeshtë. Votën na e ble 20 mijë lekë. Ditën e punës si bashkëfajësi në krim na e paguan 20 mijë lekë. Pastaj, 10 euro na vë taksën e rrugës për të shkuar në shtëpi, 5000 euro na shet vendin e punës, 3000 euro na mer për promovim e grade, 2000 euro për të na llogaritur saktë pensionin, e kështu me rradhë. Çdo shërbim e të drejtë ligjore e fitojmë vetëm me çmim të pastër e të qartë të cilin të gjithë e dinë.
Sikurse e ka thënë Lincolni, rrezikojmë të jemi bërë nga qytetarë në njerëz të poshtër. Por edhe mendjetrullosur, sepse nuk na del mirë llogaria. Fitojmë 20 mijë lekë kur shesim votën, e paguajmë mijëra kur blejmë punën, pensionin, shërbimin spitalor, e gjithçka tjetër.
Ndaj them se duhet kryengritje. Kryengritje kundër keqqeverisjes, kundër korupsionit, e krimit në politikë. Kryengritje kundër Shqipërisë së kanabisit. Po nuk ngritëm krye, do ti kemi gjithë jetën këta të ligj mbi krye. E në fund, ose do ti durojmë mbi krye deri sa të vdesim, ose do të ikim nga ky vend.