Donald Lu dhe Vlahutin provokojnë tensione politike, kërkojnë që në fillim të gushtit të miratohen të 7 ligjet, Meta këmbëngul te konsensusi

0
167

Ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin rinisin presionet ndaj politikës që të miratohen me urgjencë të shtata ligjet. Edhe pse fillimisht u deklarua se këto ligje u shtynë për në shtator, ambasadori i SHBA dhe ajo e BE kanë bërë disa lëvizje surprizë ditët e fundit, dhe tani po kërkojnë miratimin e tyre me urgjencë. Dje, ata kanë pasur takime intensive me kreun e Kuvendit, Ilir Meta dhe me kreun e komisionit për reformën në drejtësi, Fatmir Xhafaj. Gjatë paradites, Romana Vlahutin ka shkuar në zyrën e Ilir Metës ku kanë diskutuar gjatë aty, teksa nga ana tjetër, Fatmir Xhafaj pati një takim me ambasadorin Donald Lu, takim të cilit iu bashkua më vonë dhe ambasadorja e BE. Ndërkohë, pasdreke, Ilir Meta pati një takim me ambasadorin amerikan. Thelbi i takimit ishin 7 ligjet, pasi sipas informacioneve, ambasadorët po synojnë që të miratohen brenda gushtit. Madje, sipas burimeve, po synohet që ligji i vetingut të mos kalojë i vetëm, por nëse mblidhet më 11 gusht, Kuvendi në seancë plenare, të bëhet miratimi i paketës me të shtata ligjet. Kjo duket se do sjellë tension dhe përplasje mes palëve, pasi kalimi i të shtata ligjeve përnjëherë shihet nga opozita si lëvizje për të fshehur ndryshimet. Ditët e fundit, deputetët e PD dhe ekspertët e saj kanë nisur të shqyrtojnë me detaje gjithë ligjin e vetingut dhe kanë gjetur mjaft pika që duhet të ndërhyhet. Puna po vijon dhe sipas burimeve, do duhen disa ditë që ata të dalin me një konkluzion të caktuar. Kjo do të thotë se PD në të njëjtën mënyrë do veprojë dhe me 6 ligjet e tjera dhe kalimi i tyre qoftë më 11 gusht, qoftë në një datë tjetër e vështirëson procesin dhe provokon tensione politike.

 

Meta kërkon konsensus

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, u ka bërë dje të qartë ambasadorëve se para datës 11 gusht nuk ka seancë plenare, duke theksuar se do zbatohen afatet procedurale. Në një prononcim për mediat pas takimeve, ai tha se diskutimet janë duke vijuar, teksa paralajmëroi se po shqyrtohet mundësia se kur do jetë seanca për kalimin e ligjit për vetingun, por dhe të ligjeve të tjera. “Besoj se çdo gjë do të ecë normalisht në respekt të Kushtetutës, në respekt të institucioneve dhe të afateve që kemi me partnerët ndërkombëtarë. Jemi duke diskutuar për të caktuar sa më shpejt të jetë e mundur kohën e mbajtjes së seancës së duhur për të miratuar ligjin për vetingun dhe ligjet e tjera që janë të domosdoshme”, deklaroi kreu i Kuvendit. Nga ana tjetër, ai tha se në ditët në vijim pritet që të mblidhte komisioni i reformës në drejtësi dhe u shpreh i gatshëm për nisjen e diskutimeve. Meta theksoi se po vijohet me diskutimet, duke treguar se gjithçka duhet të kalojë me konsensus. “Kemi komunikime të vazhdueshme edhe me kryetarët e grupeve parlamentare. E vetmja gjë që mund t’ju them me siguri është që, deri më 11 gusht, deputetët mund të jenë të qetë edhe të vazhdojnë me programin e tyre. Por besoj që këto dy ditë do të jemi shumë më të qartë që të vazhdojmë rrugën e nisur, t’i respektojmë të gjitha afatet që e ndihmojnë Shqipërinë që të marrë rekomandimin pozitiv nga Komisioni Europian për hapjen e negociatave”, tha kreu i Kuvendit, Ilir Meta. Ai u shpreh se të gjithë janë të angazhuar për këtë proces.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here