Porti Karpen, PD: Rama i dha 1700 hektarë kompanisë fantazëm, Ekonomi: Ende asnjë marrëveshje

0
167

Partia Demokratike, akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka dhënë me konsension tek një kompani fantazmë 1700 hektarë   në Portin Karpen. Me anë të një deklarate për shtyp, deputetja demokrate, Jorida Tabaku i kërkoi transparencë qeverisë për këtë projekt. “Pasi krijoi mjegullën e duhur me zhurmën për reformën në drejtësi, Edi Rama urdhëroi kartonat e tij në parlament për të kaluar një prej aferave më të dyshimta e korruptive të këtyre tre viteve, sic është koncesioni i Karpenit në Kavajë.1700 hektarë tokë në zemër të vendit, në një prej zonave më të kushtueshme, i fluturoi Edi Rama me një të rëndë të lapsit sa në Londër, sa në Singapor, nëpër kompani fantazëm, dhe sot që flasim askush nuk e di se cilin bëri shefi i rilindjes pronar të kësaj pasurie të shqiptarëve.Një projekt i dyshimtë, në mungesë totale transparence.Fillimisht, Edi Rama ia dha këto 1700 hektarë kompanisë “Star Bridge Port Development Ltd”, me qendër në Britani, e cila rezultoi me një kapital prej 100 paundësh. Ia dha kompanisë me 100 paund, me ca copa letrash ku flitej për ndërtimin e një kompleksi laraman, me lloj lloj objektesh të planifikuara aty.Kjo kompania 100 paundëshe, sipas Edi Ramës do na investoka 5 miliardë dollarë në Karpen, aq sa gjysma e produktit të brendshëm bruto.Por më e rënda është se kjo kompani, që Edi Rama e bëri pronare të 1700 hektarëve, u shit papritur në Singapor, në një parajsë fiskale atje, vende që vizitohen shpesh nga vëllai i kryeministrit. E njëjta skemë si me koncesionin e TVSH që opozita kundërshtoi dhe detyroi qeverinë të tërhiqej. Edi Rama duhet të bëjë urgjentisht transparencë e të japë llogari për këtë rast. Partia Demokratike do të vendosë para ligjit autorët e do të vazhdojë të denoncojë këtë koncesion korruptiv e këtë zhvatje të pasurisë së shqiptarëve, si shumë afera të tjera të kësaj qeverie e oligarkëve të saj,” – theksoi Tabaku. Pas deklaratave të partisë Demokratike,  ministrja e ekonomisë, Milva Ekonomi u shpreh se ende nuk është lidhur asnjë kontratë me propozuesit, dhe projekti është në fazë negocimi. Ministrja i cilësoi akuzat e PD – së si dashakeqe dhe dëmtim imazhi për projektin e Portit të Karpenit. “Duke marrë parasysh kompleksitetin e këtij projekti, ndërtimi i portit, ngritja e një zonë ekonomike mbështetëse, dhe ndërtimi i TEC-it, por edhe për madhësinë e investimit, tre ministritë, MZHETTS, MEI dhe MTI,  kërkuan që Parlamenti t’i  japë të drejtën vetëm për të negociuar.Theksojmë që nuk është lidhur asnjë kontratë me propozuesit e projektit. Qeveria shqiptare thjesht i ka kërkuar Parlamentit lejen për të hyrë në bisedime me propozuesit e investimit strategjik dhe për të negociuar kontratën, sipas ligjit në fuqi për këtë investim. Kjo nënkupton një filtrim më të detajuar dhe mbi baza dokumentesh zyrtare, jo vetëm të “Star Bridge Port Development Limited”, por edhe të gjithë kompanive investuese e zbatuese të projektit”. “Theksojmë se, kjo konsulencë do të kryejë vlerësime ligjore dhe financiare për të arritur në një kontratë me garanci sa më të forta për shtetin shqiptar. Kontrata do të përfshijë detyrimet kontraktuale, garancitë financiare, sanksione në rast të mosrealizimit të projektit sipas kontratës, afate detyruese dhe përgjegjësi të tjera,”- beri me dije ministrja e Ekonomisë, pas akuzave të PD-së.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here