Dëshmitë/ Zjarri në burgun e Lezhës, prej 1 muaji viktima ishte në depresion

0
165

I dënuari Flamur Sula, i cili u humbi jetën në burgun e Shën Kollit në Lezhë, vetëm 10 minuta përpara se të ndodhte ngjarja e rëndë mësohet se ka folur në telefon me familjen.

Ky fakt është pohuar për hetuesit nga një prej shokëve të Flamur Sulës, me të cilin ai kishte komunikuar vetëm pak momente përpara ngjarjes. Menjëherë pas komunikimit me pjesëtarët e familjes mësohet se është kthyer në qelinë e tij i shqetësuar.

Në këtë kohë tre shokë të tjerë të qelisë së tij ndodheshin në ajrim. Pikërisht në këtë kohë dyshohet se ka ndodhur edhe rënia e zjarrit, nga disa bombola gazi të cilat dyshohet se kanë qenë të vendosura poshtë dyshekut të shtratit të Sulës.

Burime të policisë së Lezhës dhe të Burgut të Shënkollit, thanë për Report Tv, se gardianët e burgut kishin vënë re se prej së paku një muaji, Sula kishte shfaqur çrregullime të sjelljes së tij.

Hetuesit e prokurorisë së Lezhës, kanë marrë dëshmitë e disa prej gardianëve që kanë qenë më afër vendit të ngjarjes. Po ashtu janë marrë edhe dëshmitë e të dënuarve të ndryshëm që kanë pohuar se kishin parë tym e flakë dhe kishin mësuar se kishte rënë zjarr në kuzhinë.

Në këtë kohë dyshohet se gardianët kishin qëlluar me armë në ajër për të bllokuar ndonjë tentativë të të burgosurve për t’u larguar nga burgu. Për hetimin dhe zbardhjen e ngjarjes u angazhuan Ministria e Drejtësisë, Zjarrfikësit si dhe Inspektoriati Teknik Shtetëror.

Gjithsesi tashmë Prokuroria e Lezhës, po heton të gjithë rrethanat e ngjarjes. Ndërkaq Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Miklovan Kopani në një bisedë jashtë kamerave, tha për Report Tv, se të hënën do të publikohen masat administrative që pritet të merren nga kreu i institucionit.

Sipas tij, ngjarja në fjalë prite të shoqërohet me një hetim edhe administrativ veç atij penal. Kopani tha se masat administrative pritet të jenë të të gjitha niveleve, çka nënkupton se masat pritet të nisin që nga drejtuesit e burgut e deri tek punonjësit e policisë së burgut që kanë patur përgjegjësinë për të parandaluar rastin.

Nga ngjarja e të shtunës, një person mbeti i plagosur ndërsa 9 të tjerë morën plagë të lehta. Pas mjekimit të marrë në spitalin e Lezhës, ata janë rikthyer në qelitë e tyre për të vijuar vuajtjen e dënimit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here