Pesë ditë pas vrasjes së një prifti që tronditi Francën, shumë myslimanë shprehën sot tmerrin e tyre ndaj xhihadizmit, duke qenë të pranishëm në meshat e së dielës në krahë të katolikëve apo nëpër tribunat e mediave. Ishin më shumë se 100 persona në katedralen e Ruenit në mes të rreth 2 mijë besimtarëve që ishin mbledhur për një meshë në homazh të atë Jacques Hamel, prifti 85-vjeçar i therur të martën në kishën e Saint-Etienne-du-Rouvray nga dy të rinj, 19-vjeçar, që deklaroheshin si anëtarë të organizatës Shteti Islamik (ISIS). “Prania e myslimanëve është një gjest i guximshëm, një gjest paqeje”, theksoi kryepeshkopi, Dominique Lebrun. “Ju konfirmoni kështu se refuzoni vrasjet dhe dhunën në emër të Zotit. Sikurse e kemi dëgjuar nga gojët tuaja që janë të sinqerta, nuk është islami”, vazhdoi ai. Në të gjitha qytetet e Francës myslimanët i ishin përgjigjur thirrjes së pazakontë të Këshillit Francez të Kultit Mysliman, që është përhapur gjithashtu edhe në Itali, ku nga Milanoja deri në Sicili, delegacione të vogla imamësh, personalitetesh dhe besimtarë myslimanë ishin të pranishëm nëpër kisha. Kjo iniciativë thyen njëlloj ngurrimi të myslimanëve praktikues për t’u shprehur në hapësirat publike.