Ndoshta nuk duhet ta zmadhojmë rëndësinë e videove të ISIS-it, deklaroi sot Dmitri Peskov, zëdhënës i presidentit rus, Vladimir Putin duke iu referuar videos së fundit të ISIS-it, ku Shteti Islamik kërcënon me xhihad në Rusi.
“Duket qartë që, përderisa lufta kundër tyre intensifikohet dhe terroristët po vihen me shpatulla për muri, ata po përdorin kërcënimin. Kërcënime si këto nuk mund të ndikojnë në asnjë mënyrë në rrugën e ndjekur nga Rusia dhe presidenti Putin në luftën kundër terrorizmit, që vazhdon në të gjitha drejtimet”, theksoi Peskov.
”Autoritetet janë njoftuar dhe po e shqyrtojnë me vëmendjen e duhur videon”, shtoi ai.
Në një video, vërtetësia e së cilës nuk është konfirmuar ende, ISIS-i kërcënon presidentin rus, Vladimir Putin dhe u kërkon luftëtarëve të Shtetit Islamik ta çojnë luftën e shenjtë (xhihad) edhe në Rusi.
Në video, një person me fytyrë të mbuluar bërtet nga makina që po nget në shkretëtirë: ”dëgjo Putin, do të vijmë në Rusi dhe do t’ju vrasim në shtëpitë tuaja!”