Rregulla, kushte dhe procedura të reja për strehimin e familjeve të pamundura, pra që kanë nevojë për strehim dhe ndihmë nga shteti. Ministria e Zhvillimit Urban ka përgatitur një projektligj për mënyrat e sigurimit, të shpërndarjes, të administrimit dhe të planifikimit të programeve sociale për strehimin, me fuqi vepruese në të gjithë territorin e vendit. Sipas draftit nga programi i strehimit përfitojnë individët që kanë mbushur moshën 18 vjeç, të që nuk kanë në pronësi një banesë, kanë mbetur të pastrehë si rezultat i fatkeqësive natyrore, i prishjes së objekteve apo i zhvendosjeve dhe dëbimeve me forcë.
Përfitojnë gjithashtu strehim familjet që kanë një banesë të vjetër në rrezik shembjeje ose një banesë që i nënshtrohet një plani rregullues për shkak të vjetërsisë së saj. Por, projektligji parashikon që në programin e strehimit përfshihen vetëm familjet që kanë të ardhura të pamjaftueshme.
Projektligji parashikon që familjet që kanë përparësi janë ata familje që sigurisht nuk kanë një banesë, banojnë në banesa të mbipopulluara, rrezikojnë të mbeten të pastreha, familjet një prindërore, të moshuarit, familjet me më shumë se katër fëmijë, emigrantët e rikthyer, familjet e policëve të rënë në detyrë, viktimat e dhunës në familje, viktimat e trafikimit etj.
Përzgjedhja
Kushtet ekonomike për çdo familje përcaktohen sipas kërkesave të çdo programi dhe sipas grupeve të të ardhurave. Kriteret e përgjithshme dhe kriteret e veçanta për çdo program, për aplikimin dhe përfitimin nga programet sociale të strehimit, bëhen publike dhe zbatohet përpara se të fillojë procesi i aplikimit. Përzgjedhja e subjekteve dhe familjeve përfituese bëhet përmes një sistemi pikëzimi.
Çdo bashki përcakton përparësitë e grupeve sociale, brenda çdo programi, përmes sistemit të pikëzimit që miratohet me vendim të këshillave të njësive të qeverisjes vendore. Në përzgjedhjen e subjekteve përfituese, me anë të sistemit të pikëzimit përfshihen ata të cilët përmbushin nivelin e të ardhurave, të parashikuara sipas çdo programi.
Banesat me qira
Programi i banesave sociale me qira është programi me anë të të cilit jepen me qira banesat në pronësi publike nga fondi publik i banesave sociale, si dhe banesat që janë dhe mbeten në pronësi të subjekteve private, por që vihen në dispozicion të programit të banesave sociale me qira me pëlqimin e pronarit privat.
Në programin e banesave sociale me qira shteti subvencionon pagimin e qirasë për familjet me të ardhura të ulëta dhe/ose me nevoja të veçanta, të cilat përfitojnë nga banesat sociale me qira. BSQ-të janë të paracaktuara për t’u dhënë me qira sociale familjeve që përfitojnë sipas nenit 19 të këtij ligji.
Kushti
Nga fondi i banesave sociale me qira, jo më pak se 80 për qind e familjeve që përzgjidhen të trajtohen në banesa sociale me qira, duhet të kenë të ardhura nga 0 deri 100 për qind të të ardhurave mesatare familjare të njësisë së qeverisjes vendore përkatëse. Pjesa tjetër, jo më shumë se 20 për qind e familjeve mund të përzgjidhet brenda intervalit 100- 120 për qind të nivelit të të ardhurave mesatare. Kjo kategori paguan një qira më të lartë se kategoritë e tjera, por jo më shumë se 30 për qind të të ardhurave mujore.