Bodrumi që u përdor për grabitjen e bankës në Bllok, ja emri i një biznesmeni

0
166

Ndërsa ende nuk janë identifikuar autorët e grabitjes së bankës në mes të Bllokut, disa detaje janë mësuar rreth ngjarjes dhe rrethanave të saj. Sakaq janë zbardhur edhe dëshmi, siç është ajo e administratorit të pallatit, i cili ka thënë se “bodrumi ishte marrë me qira nga një biznesmen i nderuar”, sipas tij.

Sakaq, policia ka vënë në pranga sot, drejtorin e filialit të BKT për zonën e Bllokut, 50 vjeçarin, Luigj Gjonaj, dhe Florjan Skarrën, 36 vjeç,  shef i sigurisë së filialit të bankës ku ndodhi grabitja.

“Arrestimi i tyre u bë sepse edhe pas marrjes së sinjalit për vjedhje në bankë kanë neglizhuar kryerjen e veprimeve dhe marrjen e masave duke sjellë si pasojë vjedhjen e një shume të konsiderueshme të vlerave monetare që ndodheshin në kasaforten e kësaj banke”, deklaron policia e Tiranës.

Autorët ende të paidentifikuar shfrytëzuan një ambient të braktisur prej vitesh për tu futur aty e për të çarë murin që të çonte drejtpërdrejt në kasafortën e Bankës Kombëtare Tregtare në Bllok.

Ambienti në fjalë, sipas administratorit të pallatit ishte përdorur 8­-9 vite më parë si lokal nate e më pas ishte shitur. Ndërkaq 3 apo 4 vite më parë u përdor për një kohë të shkurtër si kazino. Më tej, nuk është vënë në punë, duke shkuar drejt degradimit.  Mësohet se muajt e fundit ishte marrë me qira nga një biznesmen, që sipas administratorit, ai quhet Fran, por mbiemrin nuk ia kujton. Po sipas administratorit, biznesmeni në fjalë kishte thënë se do ta përdorte për magazinë, por ende nuk kishte kryer asnjë investim aty.

Deri tani policia nuk njofton marrjen në pyetje të pronarit apo qiramarrësit të bodrumit që u përdor si “tunel” për grabitjen e rreth 20 milionë lekëve (të reja) në BKT.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here