Më në fund është zbuluar kompania që ka bërë projektin e ndryshimeve në godinën e kryeministrisë me porosi të kryeministrit Edi Rama.
Një libër promocional i firmës belge, 51N4E, ka hedhur dritë mbi pyjetjen se kush ka qenë autori i projektit për galerinë COD (qendra e hapur për dialog) në katin e parë të kryeministrisë, me të cilën Rama ka dashur të impresionojë veçanërisht vizitorët e lartë të huaj, siç ishte rasti i kancelares Merkel.
Në këtë libër, botuar kompania belge 51N4E, në bashkpunim me Falma Fshazin, punonjëse pranë kryeminstrit Rama, dhe Stefano Grazianin, janë publikuar projektet që kjo kompani ka prezantuar dhe realizuar në Tiranë. Mes tyre, siç duket edhe në këto foto më poshtë, figuron edhe projekti i ndërhyrjes në godinën e kryeministrisë.
Lart, kopertina e librit të publikuar nga studio belge, me autorë Falma Fshazin dhe Stefano Grazianin. Poshtë, fotot nga projektimi i katit të parë të kryeministrisë si dhe nga vizita e kancelares Merkel pas përfundimit të punimeve, botuar në libër.
Këto projekte paraqiten në libër me një tekst shoqërues të Falma Fshazit, e cila është dhe drejtoresha e galerisë në katin e parë të kryministrisë Fshazi, si dhe me fotot të italianit Stefano Graziani.
Nën titullin “Si gjërat takohen”, prezantohen me një kolazh fotografik projektet e studios Belge në Shqipëri, mes tyre projekti i vjetër i sheshit Skënderbej (që po rivitalizohet së fundi), kulla TID, dy pika karburanti si dhe disa foto nga momentet e rikonstruksionit në kryeministri. Eshtë hera parë që një studio arkitekturore boton fotot e projektit të realizuar në kryeminstri në një liber promocional për kompaninë e tyre.
Deri më tani, kryeministria nuk i është përgjigjur kërkesës së vazhdueshme të AbcNews për autorësinë e projektit të ndryshimeve në kryeministri.
Vetë Falma Fshazi, drejtoresha e galerise në Kryeministri, i është shmangur kësaj pyetje.
Por, mesa duket, ky botim ku një prej autorëve është vetë zonja Fshazi, nxjerr të vërtetën e projektit
Firma belge 51N4E, tashmë e njohur si autore e disa projekteve në Shqipëri, është akuzuar si një kompani me lidhje të forta dhe afërt me kryeministrin Rama.
Veç projekteve të fituara në Bashkinë e Tiranës, kur ajo drejtohej nga Edi Rama, në regjistrat e firmës 51N4E, kanë qenë punësuar edhe disa të afërt të kryeministrit. Një prej bashkëpunëtorëve të kësaj studioje arkitekturore, rezulton të ketë qenë Rea Xhillari, vajza e Linda Bashës, bashkëshortes së Edi Ramës.
Emri i saj figuron në listën e mëposhtme që pasqyron skuadrën e 51N4E.
Veç familjares së kryeministrit, firma 51N4E është e lidhur edhe me një prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë.
Anri Sala, një prej miqve më të afër të Ramës dhe bashkëpunëtor në lyerjen e fasadave të kryeqytetit, ka bashkëpunuar me 51N4E në projektin e vjetër për rehabilitimin e sheshit Skënderbej.
Të gjithë duket se janë të kënaqur me bashkëpunimin me studion belge. Madje edhe fotografi italian Stefano Graziani, për të cilin AbcNews mësoi se qënka fitues i projektit për lotin e parë të “Korridorit Ekonomik Tiranë- Durrës”.
Projekti ku Stefano Graziani është shpallur një nga fituesit e lotit të parë
Galeria COD, në katin e parë të kryeministrisë, funksionon si një qendër për promovimin e artit në Shqipëri, por punimet aty u bënë pa shpallur projektin fitues apo një tender për kostot e ndërhyrjeve në katin e parë, duke shkelur ligjin për prokurimet publike.
Fakti, se ky projekt është realizuar nga kompania belge, shpjegon se përse deri më sot është refuzuar me arrogancë të bëhet transparencë për punimet në kryeministri. /lapsi.al/