Zbardhet mashtrimi i bërë ndaj gruas së viktimës nga Denis Zaka, i dyshuar si vrasës i kushëririt Vladimir Murrizi, më 3 gusht 2016, në Greqi. Pak ditë pas arrestimit të të dyshuarit në Fier, dosja penale i ka kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda, duke u cilësuar si krim në familje. Mësohet se, pasi kishte vrarë kushëririn e tij në Greqi dhe e kishte groposur në një përrua, autori i krimit u ka dhënë disa versione të afërmve, të cilat kanë qenë të gjitha mashtrim. “Variantet që jepte ai për vrasjen në Greqi kanë qenë të ndryshme, por bashkëshortes së viktimës (Vladimir Murrizi), duke folur në messenger, i thoshte që viktima është nisur për në Shqipëri. “Shqetësimit të saj se përse ai nuk po vinte në shtëpi, autori i përgjigjej që nuk dinte gjë.
Sipas tij, viktima ishte nisur për në Shqipëri me një taksi me dy shtetas grekë të komunitetit rom, të cilët ai nuk i njihte dhe kushedi se çfarë mund të kishte ndodhur”, thanë burimet e hetimit. Por ndërkohë, me kërkesë të babait të viktimës (daja i autorit), Denis Zaka vjen në Shqipëri dhe jep variant tjetër për vrasjen e kushëririt në Greqi. Sipas tij, ai dhe viktima, së bashku me dy grekë të komunitetit rom, vjedhin së bashku një frezë, të cilën do ta shisnin. Pas vjedhjes, ai ka pretenduar se patën përplasje me grekët, të cilët i qëlluan të dy me thika, por nga goditjet vdiq viktima Vladimir Murrizi.
“Autori pretendoi para familjarëve se nuk kishte bërë denoncim, pasi dy grekët e kishin kërcënuar”, thanë burimet. Por, gjatë hetimit, varianti që ka pranuar para policisë gjyqësore dhe ai përfundimtari që del nga provat është se e ka vrarë kushëririn e tij për shkak të debateve banale, pasi kishin konsumuar alkool. Më 11 gusht 2016, Denis Zaka, i akuzuar për vrasjen e kushëririt të tij, Vladimir Murrizi, pranoi krimin e ndodhur më 3 gusht në Greqi.
Para Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila e la në arrest me burg deri në fund të hetimeve, i akuzuari u shfaq i penduar dhe u kërkoi ndjesë familjarëve për vrasjen e të afërmit të tij, me të cilin punonin si çobanë në shtetin fqinj të Greqisë. I akuzuari Zaka ka shpjeguar se ishte konfliktuar fillimisht me fjalë me kushëririn e tij të parë. Shkak i zënkës, sipas 26-vjeçarit, kanë qenë cilësimi si i pamoralshme i gruas së tij nga ana e viktimës Vladimir Murrizi. Sipas dëshmisë, ngjarja kishte ndodhur nën efektin e alkoolit, ndërsa Zaka është konfliktuar fizikisht më kushëririn dhe gjatë kësaj përleshjeje, ai e ka qëlluar me armë të ftohtë, thikë.