Majlinda Kelmendi ia dedikon të rinjve të Kosovës medaljen e artë olimpike që fitoi pak ditë më parë në Rio.
Xhudistes iu bë sot pasdite një pritje zyrtare nga autoritetet e Kosovës. Kryeministri Mustafa dhe personalitete të tjera nga bota e politikës dhe sportit e pritën xhudisten në aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë, ndërsa të shumtë ishin edhe qytetarët që dolën për ta parë nga afër.
Në konferencën e parë për mediat në Kosovë, Kelmendi tha se sfida më e fortë që pati në Lojërat Olimpike ishte në gjysmëfinale.
“Lufta më e vështirë ka qenë gjysmëfinalja kundër japonezes. Kur e kam parë në gara më parë kam thënë që dua të bëhem si ajo, por arrita deri në finale të fitoj. Jam shumë e motivuar dhe jam e bindur që medalja është e imja”,-tha ajo.
Ndërsa shtoi se: “Këtë sakrifikë e bëj për Kosovën, popullin e Kosovës dhe për të motivuar të rinjtë”.
E pyetur nga gazetarët në sallën e mediave në aeroport se kur do të tërhiqet nga sporti, Kelmendi u përgjigj se aktualisht është në formën më të mirë të saj dhe se dëshiron të luajë edhe në dy olimpiada të tjera.
“Nuk kam arsye të tërhiqem. Dua të marr pjesë edhe në dy olimpiada”,-tha xhudistja nga Kosova.
Një arritje të madhe e cilësoi edhe trajneri Kuka fitorjen e medaljes së artë. Edhe sikur medalja të ishte e bronztë tha ai, do kishte të njëjtën vlerë.
Nga ana e tij, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, falënderoi sportisten për arritjen në Lojërat Olimpike dhe në emër të qeverisë foli për shndërrimin e sportit të xhudos në sport kombëtar.