Flasin familjarët e shqiptarit të vrarë në Greqi

0
163

Familja e 28-­vjeçarit Pëllumb Marnikollaj, i cili ka gjetur vdekjen në rrethana misterioze brenda ambienteve të Policisë greke, është e bindur se djali i saj është vrarë.

Pasditen e së shtunës, familjarë të tij kanë bërë kallëzim penal për veprën penale të vrasjes në Policinë e Lezhës, e cila ka nisur hetimet për rastin.

Trupi i Marnikollajt u soll dje nga Greqia dhe i është nënshtruar ekspertizës mjekoligjore në Tiranë, për të zbardhur shkaqet prej të cilave ai humbi jetën. Ende nuk ka përfunduar autopsia, e cila do t’u dorëzohet hetuesve në Lezhë dhe mbi bazën e saj do të kryhen veprimet për zbardhjen e rrethanave të vdekjes së të riut Marnikollaj. Në një komunikim të shkurtër në hyrje të banesës së tij, në Rrilë, Nikoll Marnikollaj, babai i të riut, ka deklaruar se, nëse djali tjetër që kishte shkuar prej disa ditësh në Greqi nuk do të kishte insistuar me forcë për të mësuar fatin e të vëllait, kufoma e tij nuk do të ishte gjetur ende. Vëllai, Artan Marnikollaj, ishte njoftuar nga shoku i Pëllumbit se herën e fundit që e kanë dëgjuar gjallë, ai ka qenë duke hyrë në rajonin e Policisë “Kato Patisia”, në Athinë, ku e kishin thirrur për ta marrë në pyetje. Më tej nuk dihet se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Ajo që dihet është se Pëllumb Marnikollaj ka humbur jetën.

Policia greke njoftoi se shqiptari ndërroi jetë duke u hedhur nga kati i katërt i godinës së Policisë. Sipas saj, ndaj 28­-vjeçarit ishin ngritur akuza të tjera dhe për këtë arsye ai ndërmori veprimin ekstrem. Kjo deklaratë e Policisë greke bie ndesh me atë që ndodhi realisht, pasi trupi i pajetë i të riut u dërgua në varrezë publike, pa identitet, duke ia lënë në dorë shtetit për ta varrosur, edhe pse vdekja kishte ndodhur në ambientet e Policisë. Misteri shtohet më tepër, kur në fshehtësi të plotë, Policia u ka kërkuar drejtuesve të varrezës “Agio Anargioro” për ta varrosur Marnikollajn si person të paidentifikuar. “Sikur kërkimet e djalit, Artanit, të kishin zgjatur edhe një ditë tjetër, trupi i Pëllumbit do të zhdukej dhe nuk do ta kishim gjetur dot”, u shpreh babai. Trupi i pajetë i 28­-vjeçarit prej 10 ditësh është mbajtur në frigoriferin e varrezave dhe do të varrosej pa emër, ndryshe nga ligji grek, i cili parashikon mbajtjen e kufomave të paidentifikuara për 1 muaj. Trupi i pajetë, pas ekspertizës, i është dërguar familjes, e cila paraditen e sotme do të përcjellë për në banesën e fundit djalin e saj.

Asnjë send personal nuk u është kthyer pas familjarëve të tij. Familja Marnikollaj pret që të përfundojë sipas zakoneve ceremoninë mortore për të nisur një betejë ligjore në kërkim të drejtësisë për djalin e tyre të vdekur në rrethana krejtësisht të paqarta. Ata thonë se nga dëshmitë dhe rrethanat se çfarë ka ndodhur pas datës 3 gusht, janë të bindur se djali i tyre është vrarë, pasi nuk kishte asnjë arsye apo motiv që të kryente vetëvrasje. /Panorama/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here