Jep dorëheqjen kreu i grupit të PDK-së, arsyeja: Përgjimet

0
166

Adem Grabovci ka dhënë dorëheqje nga pozita e Shefit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës.

Grabovci ka thënë se arsye e dorëheqjes së tij janë publikimet e fundit të përgjimeve që i janë bërë atij, njofton Klan Kosova.

“Ditëve të fundit janë publikuar biseda në medie të cilat kanë pasur për objekt emrin dhe autoritetin tim politik e njerëzor. Me siguri këto kanë krijuar një ambient jo të këndshëm për opinionin publik, institucionet e vendit, PDK-në, por edhe për mua dhe familjen time”, ka thënë Grabovci në një letër të hapur të tij, ku shpjegon dorëheqjen.

“Me qëllim të reagimit tim moral dhe politik ndaj një çështje të tillë dhe hapjes së mundësisë së trajtimit adekuat ligjor të këtij rasti, i cili ka prekur edhe privatësinë, por edhe autoritetin e subjektit politik dhe timin personal, ofroj dorëheqje nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së”.

Grabovci shkruan edhe se ai është mundur gjithmonë të punojë për të mirën e vendit dhe t’i respektojë institucionet e Kosovës.

“Unë jam përpjekur vazhdimisht që angazhimi im të jetë çdo herë në kuadër të ligjeve dhe normave demokratike  dhe për të mirën e vendit dhe qytetarëve tanë. Vazhdoj të besoj se të gjithë duhet të angazhohemi për një shtet demokratik, ku respektohet ligji, por edhe liritë individuale të secilit prej nesh. Do të vazhdoj të mbroj të drejtat e mia, por edhe të secilit qytetar kur ato cenohen si dhe të respektoj institucionet dhe shtetin tone”.

Ish-shefi I GP-së të PDK-së, pohon se pasojat e ngjarjeve të fundit janë bartur edhe tek familja e tij.

“Gjatë jetës sime dhe aktivitetit politik jam atakuar shpesh dhe pasojat nuk janë bartur vetëm nga unë, por edhe nga grupimi politik dhe nga familja ime, që çdo herë ishin afër meje sikur edhe në rastin në fjalë. E di se në momente të caktuara edhe jam sfiduar, por edhe i kam tejkaluar ato,  në një mënyrë tjetër edhe tash po sfidohem”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here