Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka vendosur të mos hedhë shortin për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimëve në Drejtësi. Presidenca sqaroi në një deklaratë se shorti nuk mund të hidhet, siç përcaktojnë ndryshimet kushtetuese që kanë hyrë në fuqi më 11 gusht, pasi ligji në bazën e të cilit do të kryhet procedura, nuk është miratuar ende.
“Neni 149/d pika 5 e Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, e ndryshuar, përcakton se në përzgjedhjen e kandidatëve që marrin pjesë në short do të merren në konsideratë dhe kritere të tjera, të cilat do të parashikohen në një ligj të posaçëm. Presidenti i Republikës, në rolin e Kreut të Shtetit dhe në ushtrim të funksioneve të dhëna në Kushtetutë, duke shprehur vullnetin për efiçencën e reformës në drejtësi, vlerëson se ndryshimet Kushtetuese, të cilat erdhën në saje të një konsensusi politik kanë nevojë të shoqërohen nga ligjet e tjera, të cilat vetë Kushtetuta ka referuar dhe që duhet të bëhen pjesë e këtij konsensusi. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 4, pika 3 të Saj parashikon se “dispozitat e Kushtetutës zbatohen drejtpërsëdrejti, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon ndryshe”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Kreu i shtetit sqaron më tej se “dispozita përcakton se menjëherë pas përzgjedhjes me short, të zgjedhurit do t’i nënshtrohen procesit të rivlerësimit sipas përcaktimeve kushtetuese në nenin 179/b nga Komisionet përkatëse, të cilat akoma nuk janë krijuar dhe që referohen në një ligj të posaçëm”.
“Në këto kushte, procesi i përzgjedhjes do të ishte joefektiv, përsa kohë nuk është e qartë se kur do të miratohen ligjet e referuara”, shprehet ai.
Presidenti i Republikës u bëri thirrje palëve politike që të angazhohen për të arritur sa më parë konsensusin për të miratuar ligjet e tjera të posaçme, pa të cilat Kushtetuta e ndryshuar nuk mund të zbatohet.