Prokuroria ka nisur tashmë hetimet për zbardhjen e shkakut të krimit të pasionit, që la pas dy viktima. Biznesmeni i farërave që mbyti të dashurën 36 vjet më të re dhe më pas vrau edhe veten.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm, rreth orës 07.00, kur Salla Operative e Komisariatit të Policisë Lushnjë u njoftua se në fshatin Krutje është gjendur i vrarë me armë zjarri shtetasi Sokrat Shani, 65 vjeç, e më pas u zbulua edhe viktima e tij.
Burimet zyrtare kanë pohuar dje se nga hetimi i vetëvrasjes së biznesmenit në Lushnjë dhe vrasjes së 29 vjeçares në Golem, rezultoi se viktima Sokrat Shani prej disa kohësh ka pasur lidhje me shtetasen Jonida Çanaku.
Kjo lidhje mësohet se ka qenë edhe shkak i krimit të rëndë që biznesmeni ka kryer ndaj të dashurës, duke vazhduar më tej me aktin vetëvrasës.
Ndonëse nuk ka dëshmi të mirëfillta në lidhje me momentin final, pasi të pranishme kanë qenë vetëm dy viktimat, dyshimet janë se biznesmeni i moshuar ka pasur kontradikta serioze me partneren e tij 29vjeçare, Jonida Çanaku, në lidhje me raportin që ata kishin dhe vazhdimësinë e lidhjes mes tyre.
“Po hetohet pista e vendimit të vajzës për t’u ndarë, por edhe mundësia e kryerjes së krimit për xhelozi nga ana e Sokrat Shanit”.