Dje policia greke foli zyrtarisht mbi vrasjen e mistershme të Shqiptarit Pëllumb Marnikolaj, në stacionin e policisë Greke. Sot, gazeta më e madhe në vend “Ekathimerini”, i ka dedikuar një shkrim rastit në fjalë, ku hedh pretendime se vrasja e Lezhjanit mund të sjellë një konflikt mes dy shteteve.
Sipas shkrimit në fjalë, kjo ngjarje mund të kërcënojë e të tendosë marrëdhëniet mes dy shteteve, ku dy krerët më të lartë të shtetit, si Kryeministri dhe Presidenti, kanë kërkuar hetim të plotë mbi ngjarjen.
Gazeta shkruan se:”Vdekja e një shtetasi shqiptar në një stacion policie në Athinë në fillim të muajit, po kërcënon të shkaktojë tendosje në marrëdhëniet dypalëshe. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Presidenti Bujar Nishani, kanë bërë thirrje për një hetim të plotë nga autoritetet greke, pas një protestë publike”.
Duke ju referuar njoftimin të bërë publik dje nga autoritet policore greke, gazeta shton se: “29-vjeçari Pëllumb Marnikolaj, i cili ishte dënuar me tetë vjet burg për akuzë grabitje, kërceu nga dritarja, kur ju komunikua se ai mund të përballet me akuza për krime të tjera. Por të afërmit e viktimës dhe mediet pretendojnë se po mbulohet “torturimi dhe vrasja” e Marnikolaj, dhe kërkojnë veprime nga qeveria e tyre për të siguruar për një hetim të plotë në rast”.
Gazeta thekson se avokati grek i punësuar nga vëllai i viktimës, përmes një raporti të autopsisë, ka pohuar se nuk ka pasur shenja torture në trupin e Pëllumbit.
Mediet në vendin tonë por dhe të afërmit janë të bindur se ka pasur dhunë ndaj viktimës dhe po kërkojnë një autopsi të re.