Tre zhytës profesionistë kanë humbur jetën sot, teksa eksploronin në ujërat e Palinuoro, në Itali. Mediat në shtetin fqinj bëjnë të ditur se viktimat janë Mauro Camardella, drejtues i klubit të zhytësave “Mauro Sub”, Mauro Tancredi njohës i mirë i brigjeve dhe gropave në zonën ku ndodhi tragjedia dhe zhytësi Silvio Anzola nga Milano. Tre zhytës u futën në thellësi të detit rreth orës 10 të mëngjesit të sotëm, bashkë me një grup prej 9 personash të tjerë. Ata nuk dolën në breg siç ishte planifikuar dhe autoritetet u vunë në lëvizje për kërkimin e tyre. Pas tre orë kërkimesh, trupat e pajetë të tyre u panë në një gropë në thellësi, por ende nuk është bërë e mundur nxjerrja e tyre. Zhytësit ndodheshin rreth 50 metra në thellësi, në vendin e njohur si Punta Jacco. Shkaqet e ngjarjes mbeten mister, ndërsa sipas ekspertëve, ngjarja dyshohet të jetë shkaktuar nga një gabim njerëzor. Eksperti i zhytjes, Davide Gallo mendon se “zhytësit mund të kenë hyrë shumë thellë, në përpjekje për të ndihmuar njërin prej tyre që ndodhej në vështirësi. Ose mund të ketë ndodhur ajo që ka ndodhur dhe herë të tjera, problem me mbushjen e bombolave të ajrit”. Një tragjedi e ngjashme, ka ndodhur në Itali katër vjet më parë, kur katër zhytës humbën jetën në det, në të njëjtin vend, në Palinuro në Itali.