Tuneli i Kalimashit, pjesë e Rrugës së Kombit do të mirëmbahet nga një kompani private, derisa në fuqi të hyjë kontrata koncensionare me kompaninë turke, “Vendeka Bilgi”, e cila do të menaxhojë rrugën Durrës-Kukës për 30 vjet.
Në buletinin e Agjencisë së Prokurimeve Publike është botuar shpallja e tenderit nga Autoriteti Rrugor Shqiptar për përzgjedhjen e një kompanie që do të mirëmbajë tunelin për një periudhë 1 vjeçare me një fond prej 165 milionë lekësh.
Drejtuesit e këtij institucioni shpjegojnë se nuk dihet se kur do të lidhet kontrata me kompaninë koncensionare, ndërkohë që mirëmbajtja e tunelit është një detyrim ligjor për të shmangur aksidentet.
Spartak Tarka, drejtor i Standardeve në Autoritetin Rrugor Shqiptar:
Duke qenë se tuneli i Thirrës, mbaron afati i kontratës së mirëmbajtjes më 2 shtator të këtij viti, atëherë Autoritetit Rrugor Shqiptar mori masa që ta fus në tenderim për së dyti në mënyrë që tuneli të mos mbetet pa mirëmbajtje. Është në kushtet e kontratës. Ne e vëmë 12 muaj pasi preventivi është i përcaktuar i tillë pasi nuk kemi një afat të përcaktuar qartë nga Ministria e Transporteve që merret me procedurat e koncesionit.
Drejtuesit e Autoritetit Rrugor Shqiptar shpjegojnë se me hyrjen në fuqi të kontratës koncensionare me firmën turke do të bëhet ndërprerja e kontratës me kompaninë që do të zgjidhet në tender për të mirëmbajtur tunelin e Kalimashit. Kjo është përcaktuar në kontratën që do të lidhet me këtë të fundit.
Tarka: Pagesat bëhen mujore të firmës që do të fitojë mirëmbajtjen e tunelit dhe në momentin që lidhet koncesionari, atëherë firma e mirëmbajtjes do të paguhet për atë punë që ka bërë deri në atë datë.
Por qeveria do të vijojë të japë para nga buxheti për mirëmbajtjen e rrugës së kombit edhe pasi kontrata koncensionare me firmën turke të jetë lidhur. Në këtë kontratë parashikohet që të jepen 5.6 milionë euro çdo vit për një periudhë 13 vjeçare.