Sulmohet me armë Universiteti Amerikan në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul. Lajmin e kanë konfirmuar edhe zyrtarët policorë, teksa thuhet se ka pasur edhe shpërthim.
Ata që kanë qenë dëshmitarë okularë, thonë në mediat sociale se janë të bllokuar brenda universitetit, pasi forcat e sigurisë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes.
Mësohet se ka qenë një person i armatosur që ka sulmuar universitetin. “Kemi të bëjmë me një sulm kompleks brenda Universitetit Amerikan. Forcat speciale janë në rrugë”, ka thënë një përfaqësues i forcës së shpejtë në Kabul, duke iu pergjigjur gazetarit lokal Sarwary Bilal. Personat në universitet kërkojnë ndihmë në rrjetet sociale se kanë mbetur të bllokuar brenda dhe po sulmohen. “Ndihmë, jemi mbyllur brenda AUAF dhe po qëllohemi nga EXPLO, kjo ndoshta mund të jetë postimi im i fundit”, shkruan në Twitter Massoud Hossaini, fotografi i AP që thotë se është student tek ky universitet.