Kufijtë duhen pastruar nga elementët e ISIS-it e me këtë arsyetim Turqia nisi një operacion të gjerë ushtarak në veri të Sirisë. Bombardimi i egër i pozicioneve të militantëve në Jarablus u pasua nga dërgimi i dhjetëra tankeve në terren.
70 shënjestra janë shkatërruar atje nga zjarri i artilerisë e goditjet me raketa e 12 të tjerë nga sulmet ajrore. Qëllimi i mësymjes është ndër të tjera edhe bllokimi paraprak i çdo tentative të kurdëve sirianë për t’u vendosur në afërsi të kufirit.
Forca speciale turke kishin hyrë më herët në Siri si pjesë e ofensivës që nuk kurseu as goditjen e paraushtarakëve kurdo-sirianë në zonë. Ankaraja është e vendosur të mos i lejojë të mbushin vakuumin që do të linte pas tërheqja e Shtetit Islamik në rajonet kufitare me Sirinë. Shqetësimi i saj është se kurdët mund të krijonin një zonë autonome e cila të kthehej më pas në një vatër të separatizmit kurd brenda vetë Turqisë.
ISIS-i ishte dhe arsyeja e bastisjeve të orëve të para të ditës në Stamboll nga njësitë turke të antiterrorit. Sot në Turqi mbërriti zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden, i cili u kthye kësisoj në zyrtarin perëndimor më të lartë që viziton vendin pas grushtit të dështuar të shtetit në 15 korrik.
Me luftën e Sirisë, Turqia është zhytur gjithmonë e më thellë në një konflikt interesash. Nga njëra anë deklaroi se dëshironte rrëzimin e Bashar al-Assadit, ndaj dhe mbështeti ekstremistët sunitë. Por, distancimi i mëvonshëm i saj duket e ka shtyrë ISIS-in ta rendisë tashmë në listën e armiqve. Nga ana tjetër, ekzekutivi turk sheh me shqetësim se si kurdët po e shtojnë influencën e tyre në veri të Sirisë e të Irakut dhe frika se kurdët në fund do ta themelojnë shtetin e vet, e nxit të hidhet në veprim.