Një aksident me pasojë plagosjen e dy të miturve ka ndodhur mesditën e sotme në Dibër. Burime nga policia thanë se, në aksin rrugor Dohoshisht -Luzni, në një dishezë kanë qenë duke lëvizur në një biçikletë dy të mitur konkretisht shtetasi B. D., dhe M. D., 12 vjeç.
Ndërsa një mjet tip “Renault”, me targa AA 035 FP me drejtues shtetasin me inicialet F. K., ka qenë duke u ngjitur në malore.
Dy të miturit nuk kanë arritur të mbajnë ekuilibrin dhe të frenojnë biçikletën dhe për pasojë janë përplasur me mjetin “Renault” që ishte në ngjitje.
Drejtuesi i mjetit është përpjekur të shmangë përplasjen duke dalë në anë të rrugës pasi rruga ishte me bordurë anash dhe nuk kishte mundësi të shmangej më tepër. Të dy fëmijët janë përplasur me kofanon dhe xhamin e parë të mjetit.
Drejtuesi i mjetit ka ndaluar menjëherë dhe u ka dhënë ndihmën e parë duke i dërguar menjëherë në spitalin e Peshkopisë për ndihmë mjekësore, si dhe ka njoftuar Policinë për aksidentin e ndodhur.
Shtetasi M. D., është transportuar për në Tiranë për ndërhyrje më të specializuar, ndërsa shtetasi tjetër i mitur B. D., ka pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhet në spitalin e Peshkopisë.
Drejtuesi i mjetit është shoqëruar ne polici për veprime të mëtejshme.