Ndërkohë që Eduard Zaloshnja botoi një sondazh sipas të cilit LSI e Ilir Metës do të jetë vendimtare për zgjedhjet në Dibër, një drejtues lokal i Metës ka kërkuar takim urgjent ditën e hënë, përndryshe ka kërcënuar me heqjen e mbështetjes për Muharrem Ramën, kandidatin e mazhorancës për kryetar bashkie.
Heqja e logos së LSIsë nga makinat e fushatës së Ramës, për të cilat u akuzua se janë marrë nga doganat, ka rritur tensionet brenda aleatëve. Vildan Çoku, këshilltari i LSI në Këshillin Bashkiak të Dibrës, ka bërë të ditur ultimatumin e degës së LSIsë, së cilës Ilir Meta i ka dhënë “sovranitet suprem” për të vendosur për koalicionin e 11 shtatorit. Çoku deklaroi se nëse deri të hënën nuk plotësohen kushtet e LSIsë, atëherë kjo forcë politike nuk do ta mbështesë kandidatin Muharrem Rama më 11 shtator. Çoku ka deklaruar se LSIsë i takojnë 160 vende pune në Dibër, ndërsa do t’i kërkojë PS që të japë fonde për realizimin e premtimeve që ka dhënë LSI për fushatën elektorale të 2015. “LSI kërkon administratorë në tre qendra administrative. Gjithashtu kërkon përqindjen e punësimit në rang bashkie, nga 560 punonjës, 160 i takojnë LSI.
LSI kërkon edhe investimet nëpër qendrat administrative që ka dhënë si, ujëvaditës, ujë të pijshëm, etj. Socialistët miratojnë fondet vetëm për ato premtime që kanë dhënë vetë. Të hënën do të caktohet gjithçka, nëse PS nuk pranon kushtet tona, LSI nuk do ta mbështesë kandidatin e saj për kryebashkiak të Bashkisë Dibër. Ata e dinë shumë e mirë se kush kandidat fiton pa mbështetjen e LSI”, u shpreh Çoku. Për këtë çështje kaq delikate, strukturat drejtuese të LSI në Dibër do të thërrasin të hënën në një takim socialistët, ku do të kërkojnë zbatimin e një marrëveshjeje që do të ketë në thelb punësimin e militantëve të LSI në pushtetin vendor dhe ndarjen e posteve në administratën publike, në këmbim të mbështetjes që do të ofrojë kjo forcë politike për kandidatin e PS.
Por duket se Edi Rama nuk po lëviz në erë dhe ka marrë disa masa për të shtuar votat “tribale” që mund të kompensojnë braktisjen e LSIsë. Zgjidhja është aq e çuditshme sa dhe misterioze. Prej 6 muajsh PDIU e Shpëtim Idrizit ka drejtuar bashkinë e Peshkopisë duke rritur prezencën në bashkinë Dibër, edhe pse nuk ka asnjë çam. Më saktë i vetmi gjysëm çam është një intelektual i njohur i Peshkopisë me origjinë nga Vlora, por i lindur dhe rritur në Peshkopi, i cili është mbështetës i flaktë i Partisë Demokratike. Deputeti peqinas Aqif Rakipi është instaluar në Peshkopi prej kohësh dhe nuk kthehet fare në Tiranë por punon që PDIU të sigurojë një numër të madh votash, sidomos në zonën e Muhurrit, ku PDIU ka një mbështetës me emër por jo nga fusha e shkencës, por nga ajo e dajakut. LSI e Ilir Metës ka lëshuar alarmin për afrimin e pazakontë mes Edi Ramës dhe çamëve të PDIUsë, sa mediat pranë kreut të LSIsë kanë bërë të ditur se Kryeministri ka premtuar poste të reja qeveritare për “partinë e çamëve”. Për këtë forcë politike pritet që të ketë një post të rëndësishëm që e njeh shumë mirë kreu i PDIUsë, Shpëtim IDrizi. Bëhet fjalë për drejtorin e përgjithshëm të Doganave, post të cilin Idrizi e ka mbajtur në kohën e Fatos Nanoskryeministër. Ndërkaq, Idrizi ka marrë sërish drejtorin e shfrytëzimit të automjeteve, që e ka pasur kur bashkëqeveriste së bashku me PDnë. Në Sarandë, PDIU ka marrë kreun e hipotekave, por edhe poste të tjera në administratë. Asnjë emërim nuk është zyrtarizuar ndërsa flitet për lëvizje të reja në varësi të rezultatit që partia e Idrizit do të arrijë në Dibër. Siç ka deklaruar edhe vetë kreu i PDIUsë se “çam nuk lind por bëhesh”, Dibra paska qenë terren pjellor për të ngjizur idealet e Çamërisë. Në fakt kjo është vërejtur në nervozizmin apo më mirë shqetësimin që eksponentë të PDsë në Dibër kanë shfaqur këto ditë nga aksionet e Aqif Rakipit në Dibër Madje një material konfidencial i është dërguar ambasadave, ku akuzohet kryeministri Edi Rama se po afron njerëz të inkriminuar në Dibër, për të ndryshuar rezultatin nëpërmjet presionit dhe votës së blerë
. Po ç’ndodh nëse PDIU zgjeron votat në Dibër?! Bie pesha specifike e Ilir Metës si kondicionues i Edi Ramës, por këto kushte mund të rëndohen nga Shpëtim Idrizi. Por siç duket, Edi Rama i ka bërë llogaritë dhe mendjen më shumë e ka që të ruajë qeverinë nga një mocion mosbesimi i papritur në Kuvend, sesa tek rezultati direkt i 11 shtatorit.javanews