Kambanat e një kishe bien 8 herë para se zëri i saj të dëgjohet të këndojë shqip: “Kurrë nuk merret vesh, as prej engjëjsh, as prej nesh, ajo që po ngjan me ty, Nën’ e Virgjër, Shën Mari.” (Kremtore e Kishës Orthodokse, përkthyer në shqip nga Theofan S. Noli, Boston, Massachusets, 1947, fq. 584.).
I njëjti zë shpjegon në gjuhën angleze: “…vjen nga gjendje të ndryshme të mendjes. Nuk është rreth nesh, muzikantëve, është vetëm rreth muzikës. Është një udhëtim në rrugë, përmes muzikës. Për vite të tëra kam qenë e interesuar të bëja një album me motive bizantine. Mendova se do të ishte me interes të bëja një udhëtim muzikor, pas në të shkuarën (në histori). Mendoj se ka qenë një mbrëmje vere e vitit 2012, kur ndjeva thellë brenda meje muzikën bizantine. Isha ulur në kopshtin e pasmë të Shën Klementit, në kodrën përballë liqenit të Ohrit. Po dëgjoja një murg. Një këngë mistike, shumë religjioze. E ndjej shumë familjare, për shkak se baza ime është muzika tradicionale”.
“Entropy – ku bizanti takon xhazin”, ky është albumi më i ri i këngëtares, që prezantohet në edazari.com. Imazhe të Manastirit të Zvërnecit shihen në video si edhe kori “Jan Kukuzeli”. Eda Zari në bashkëpunim me Ibrahim Maalouf, në videon prezantuese të realizmit të albumit tregojnë shumëçka.
“Jo shumë kohë pasi kisha vendosur të bëja këtë album, një mik shumë i miri i imi më kërkoi ta vizitoja atë në Arkivin Qendror të Shtetit. Ai më prezantoi dhe më tregoi një thesar, dorëshkrime të muzikës bizantine e postbizantine, që datonin në shekullin e 12. Ishte surprizë e madhe për mua. Më tej nisa të ndiqja gjurmë të tjera bizantine në vendin tim, që qenë izoluar për rreth 50 vite”, thotë Eda Zari.
Albumi i Eda Zarit me Ibrahim Maalouf, që lançohet në muajin tetor të këtij viti, është realizuar me bashkëpunimin e Florian Weber, Hayden Chisholm, Dietmar Fuhr, Korit Bizantin “Shën Jan Kukuzeli”, Rhani Krija, shkruan dritare.net.
ALBUMI
“Historia e njohur e prostitutës që i lau këmbët Jezusit dhe ia fshiu me flokët e saj, vjen në forma të ndryshme tek psalmet e Kishës Ortodokse. Ky është një nga psalmet e kënduara të Mërkurën e Shenjtë, kur përkujtohet ajo që bëri prostituta”. Shpjegimin e ndjek zëri i Zarit në interpretim të kësaj pjese.
Ajo shënon se ky është një album ambicioz, i pari i këtij lloji në konceptimin muzikor, i përbërë nga psalme të përzgjedhura prej pjesësh të ndryshme të ceremonive fetare bizantine, të sjella e të interpretuara në stilin e xhazit.
“Muzika xhaz dhe ajo bizantine formojnë së bashku një binom që përcjell frymën emocionale të teksteve të shenjta. Në këtë peizazh muzikor, Eda Zari dhe artistët e saj të zgjedhur me kujdes guxojnë të risjellin muzikën e përdorur nga liturgjia. Në formën e tyre origjinale, himnet janë shkruar me ‘simbolet’ 1.500-vjeçare muzikore bizantine që gjenden edhe koleksionin (bizantin e postbizantin) të dorëshkrimeve që ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror të Tiranës, Shqipëri)”, shkruhet në prezantimin e albumit.
Po aty, vërehet se përmes kadencave pianistike dhe kolorit të zërit, secili psalm arrin dinamika të ndryshme variacionesh dhe zëri, duke zbuluar kështu një gjuhë të re të pasur.
Psalmet do t’i prezantohen një publiku që vlerëson jo vetëm traditën, por edhe këngën në religjionin bizantin ose në formën e xhazit. Në çdo rast, Zari nuk ka vendosur të qëndrojë vetëm në sferën e traditës liturgjike.
“Tingujt kolektivë në këto psalme janë shumë më të rëndësishëm se vetë kënga, siç është isoja magjike e polifonisë shqiptare. ISO-ja është afirmim i unanimitetit, e ngjashme me mesazhin artistik në këtë album”.
Melodia shkëput veten nga e kaluara dhe kap momentin për të krijuar meloditë e tanishme, ku gjuha është udhëzuesi shpirtëror, që përcjell mesazhin e shenjtë (një pjesë e rëndësishme e këtij repertori ka të bëjë me Fjalën Hyjnore, përkthyer në shqip nga Shkëlqesia e tij, Theofan S. Noli).
“Pavarësisht nga kjo, çdo kulturë muzikë fetare, ashtu si ajo bizantine, fillon te muzika popullore. Muzika i ndihmon njerëzit të shprehin sfidat, gëzimet dhe vajet e jetës. Bashkë me fjalët, muzika na ndihmon të lartësojmë besimin tonë ndaj të shenjtës. Kjo gosti melodish e teksti është sjellë tek ne nga muzikantë të jashtëzakonshëm. Ata vijnë në këtë projekt nga prejardhje multikulturore dhe çdo performancë është ekzekutuar në emër të muzikës dhe ndershmërisë artistike. Të gjithë ata meritojnë vlerësimin tonë”, thuhet në prezantimin e albumit.
Albumi “Entropy” është homazhi që Zari u bën artistëve sirianë, armenë, libanezë dhe gjithë muzikantëve të flokut, të cilët në kohë të trazuara po përpiqen të ruajnë kulturën dhe trashëgiminë e tyre.
Duke uruar e besuar fort se madje edhe përmes muzikës, ne mund të ndalim luftën në Siri dhe në të gjithë botën.
Ky album i kushtohet peshkopit Bishop Theofan Stilian Noli (1882 – 1965). Ai ishte një personalitet shumë i talentuar, i dalluar kryesisht për përkthimet e tij letrare dhe liturgjike. Përkthimet e shërbimeve liturgjike për të krishterët ortodoksë shqiptarë janë themeli i mendimit liturgjik, teologjik dhe diskursit në gjuhën shqipe. Emri i tij do të mbahet mend gjatë për këtë./dritare.net