– Një endacak nga Berati, person me precedentë penalë, sulmoi dje me thikë një kalimtar 50-vjeçar në Tiranë, duke tentuar ta vrasë. Ngjarja ndodhi paraditen e djeshme në afërsi të sheshit “Avni Rustemi”, në Tiranë, kur 53¬vjeçari Luan Ziu, i pastrehë, goditi një herë me thikë në bark shtetasin Selim Tuka. Sipas Policisë, ngjarja mësohet të ketë ndodhur për një fyerje. Sipas Ziut, që tashmë ndodhet i arrestuar, kalimtari e ka sharë dhe për këtë arsye ai e ka goditur me thikë. Fatmirësisht një patrullë e Komisariatit nr.1, që ndodhej pranë vendngjarjes, ka arritur të ndërhyjë në kohë, duke arrestuar në flagrancë autorin e ngjarjes. Burimet thanë se edhe pas ndërhyrjes së efektivëve të Patrullës së Përgjithshme, endacaku vazhdonte të shante kalimtarin, të cilin e kishte goditur me thikë. Sipas Policisë, ai synonte ta godiste sërish, por u mbajt me forcë nga shërbimet e rendit. Nga ana tjetër, i plagosuri i transportua me urgjencë në Spitalin e Traumës, ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ai është marrë në pyetje nga oficerët e Policisë, të cilëve u ka sqaruar se nuk e ka fyer autorin e sulmit, por thjeshtë i ka kërkuar që të lirojë rrugën ku ai po kalonte.
PERSONAZHI
I arrestuari, Luan Ziu, është një endacak nga Berati, i cili ka qenë i proceduar edhe më parë, por njëkohësisht është bërë edhe objekt kronikash televizive, pasi preferonte të flinte rrugës, edhe pse kishte mundësi strehimi. Në vitin 2008, Ziu, banor i lagjes “Çlirim”, në Berat, u arrestua pasi dyshohej se kishte vjedhur një biçikletë para një lokali. Grupi i gatshëm i policisë, që ndodhej në vendin e quajtur, ka pikasur në rrugë biçikletën e vjedhur dhe menjëherë ka ndaluar personin që po i jepte, shtetasin Luan Ziu, i cili rezultoi autor i vjedhjes. Një vit më parë, Ziu u intervistua nga gazetarët, teksa flinte në dimër në stolat e një parku në Berat. Ai thoshte se e kishte zgjedhur vetë këtë mënyrë jetese dhe se familjarët nuk e kishin braktisur, madje kishte edhe shtëpi për të jetuar. Ndërsa personat që e njihnin, shpreheshin se zakonisht ai është njëri i qetë, që pranon lëmoshat që i lënë pranë vendit ku fle, por ka raste që bëhet edhe i dhunshëm, pa ndonjë arsye konkrete. (panorama)