Janë rreth 4 mijë apartamente, kryesisht në Tiranë, për të cilat do të nisin procedurat e legalizimit. ALUIZNI ka gati vendimin në të cilin detajohet praktika që do të ndiqet. Drafti është në fazën finale dhe pritet të kalojë për miratim në qeveri në muajin shtator, duke i çelur në këtë mënyrë dritën jeshile hipotekimit të tyre.
Kategori
Çfarë ka bllokuar deri më tani procesin për këto apartamente kanë qenë problematikat që ato kanë shfaqur. Nga ALUIZNI mësohet se një pjesë e këtyre pallateve janë në shkelje të lejes së ndërtimit, ndërsa pjesa tjetër nuk ka asnjë lloj dokumentacioni. “Ligji i legalizimeve hap në parim rrugë për legalizimin e këtyre objekteve, por procesi bllokohet për shkak të situatave shumë të ndryshme të secilit prej tyre. Përtej kategorive të pallateve me shkelje të lejes së ndërtimit janë edhe një numër pallatesh, që janë tërësisht pa leje. Pikërisht për këtë kategori jemi duke punuar për të gjetur rrugët e legalizimit”, bëhet e ditur nga ALUIZNI. Edhe më e komplikuar bëhet situata kur këto banesa janë shitur, apo kur ndërtuesit kanë humbur gjurmët. Janë pikërisht këto pengesa ato të cilat për vite me radhë kanë mbajtur peng procesin e hipotekimit të këtyre apartamenteve. Vendimi i ri i jep zgjidhje. Procedurat qe do të ndiqen pas zyrtarizmit të tij në muajin e ardhshëm janë të njëjta me ato që ndiqen aktualisht.
Procesi
Një pjesë dërrmuese e kë- tyre pallateve kanë mbetur stok. Ndërtuesit nuk kanë mundur dot t’i shesin, për shkak se nuk posedonin dokumentacionin e duhur. Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, tha se me zhbllokimin e procesit pritet të zhbllokohet edhe shitja e tyre. “Një nga aktet e reja është ai, i cili ka të bëjë me stokun e apartamenteve të pashitura në Tiranë dhe në qarqe të tjera. Në Tiranë është një stok me rreth 4 mijë apartamente të pashitura, i cili qëndron pashitur sepse janë apartamente të palegalizuara. Ne në shtator do të mbyllim një VMK tjetër, që mundëson hipotekimin e tyre për të vënë në lëvizje shitjen e tyre”. Vendime të rëndësishme që pritet të kalojnë në muajin shtator janë edhe ato për legalizimin e banesave në zonën e Gërdecit dhe gjetjen e një zgjidhjeje për banorët e Bovillës.