Ligji i vetingut drejt rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese, roli i ndërkombëtarëve i dyshimtë

0
154

Ligji i vetingut, i cili pritet të miratohet sot, rrezikon të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese. Nëse ai kalon sot pasdite vetëm me votat e mazhorancës, sipas burimeve, PD shumë shpejt do i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar rrëzimin e tij, me argumentin se bie ndesh me një sërë pikash në Kushtetutën e re. Por cilat janë këto pika? Sipas burimeve nga selia blu, ka një mospërputhje midis përcaktimeve në ligjin e vetingut dhe Kushtetutës në disa çështje, sidomos sa i takon përcaktimeve në Aneksin C të Kushtetutës, ku më problematik shihet roli i ndërkombëtarëve. Që me ndryshimet kushtetuese, socialistët deklaruan se roli i ndërkombëtarëve nuk do negociohet. Por edhe me miratimin e ligjit, nuk dihet se çfarë vërtet do të bëjnë ata dhe cili do jetë funksioni që do kenë. Në nenin C të Aneksit të Kushtetutës theksohet se roli i ndërkombëtarëve, sa i takon përzgjedhjes së anëtarëve të Komisionit të Verifikimit dhe Kolegjit të Apelimit, do detajohet në ligj. “Një komision i përbërë nga të paktën tre përfaqësues të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit vlerëson kandidatët, sipas ligjit. Jo më vonë se katërmbëdhjetë ditë nga paraqitja e dy listave nga Presidenti, Komisioni, bazuar në vlerësimet e tij, i dërgon rekomandimet Presidentit, i cili ia përcjell ato Kuvendit. Nëse Presidenti nuk e ushtron këtë kompetencë brenda 5 ditëve, kjo kompetencë i kalon Avokatit të Popullit”, ky është përcaktimi në pikën 7 të këtij neni. Pra, aty theksohet se vlerësimi që do bëjë OMN është i përcaktuar në ligj. “Presidenti i Republikës, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe Kuvendi janë të detyruar të vijojnë me përzgjedhjen e kandidatëve për pozicionet e anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit në përputhje me nenin C të Aneksit të Kushtetutës, dispozitat e këtij ligji dhe të Rregullores së Kuvendit”, thuhet aty. Te ky nen, ka dy elementë. Te i pari nuk tregohet se si ndërkombëtarët do i vlerësojnë kandidatët për institucionet e vetingut dhe e dyta në ligj thuhet se si presidenti dhe ndërkombëtarët duhet të përzgjedhin kandidatët. Por OMN në Kushtetutë ka vetëm rol vëzhguesi, përzgjedhjen e bën Presidenti. Sipas burimeve, pikërisht ky do jetë dhe neni që demokratët do kontestojnë në Kushtetuese nëse mazhoranca e kalon ligjin pa e ndryshuar. Demokratët kanë ngjallur dyshime mbi rolin e vërtetë që do kenë ndërkombëtarët, pasi mund të përdoren dhe politikisht.

 

Shkolla e Magjistraturës

Në Kushtetutën e re është e përcaktuar se ata gjyqtarë që nuk e kalojnë procesin e rivlerësimit i nënshtrohen një testimi pranë Shkollës së Magjistraturës, por duke përcaktuar që gjithmonë rivlerësimi bëhet nga Komisioni. Ndërsa në ligj nuk jepet asnjë përcaktim që testimi të bëhet nën mbikëqyrjen e këtij organi. “Në rast se subjekti i rivlerësimit përfundon programin e trajnimit, Shkolla e Magjistraturës i paraqet Sekretarit të Përgjithshëm të Komisionit dhe vëzhguesve ndërkombëtarë rezultatet e provimit përfundimtar duke u shprehur nëse mangësitë janë mënjanuar ose jo”, thuhet aty. Pra gjyqtari është në dorë të profesorëve të Magjistraturës.

 

Përzgjedhja e anëtarëve

Çuditërisht, në ligjin e vetingut që do të votohet sot, mungon procedura e plotë që ndiqet për përzgjedhjen e anëtarëve të organeve të vetingut, edhe pse në Kushtetutë theksohet se ajo do detajohet në ligj. “Emrat e kandidatëve të përzgjedhur nga dy komisionet ad hoc përzgjedhëse përmblidhen në një listë të vetme dhe i dërgohen Kryetarit të Kuvendit. Brenda 10 ditëve, Kuvendi miraton listën e kandidatëve në bllok me 3/5 e votave të të gjithë anëtarëve. Në rast se Kuvendi nuk e miraton listën e kandidatëve në bllok, Kryetari i Kuvendit ia kthen atë komisioneve ad hoc për përsëritjen e procesit të përzgjedhjes dhe dërgimin e një liste të dytë brenda 10 ditësh. Kuvendi, brenda 10 ditëve, mund ta rrëzojë në bllok listën e kandidatëve me 2/3 e të gjithë anëtarëve. Në rast se lista nuk rrëzohet, kandidatët e përzgjedhur konsiderohen të zgjedhur. Procedura e detajuar rregullohet me ligj”, thuhet në pikën 12 të nenit C të Kushtetutës. Për ironi në ligj nuk ka asnjë përcaktim mbi rrugën që do ndiqet.

 

Barazia para ligjit

Një tjetër pikë që pritet të shkojë në Kushtetuese nga ekspertët demokratë, është se në nenin 18 dhe 42/2  të Kushtetutës theksohet se duhet të ruhet barazia para ligjit dhe të ketë një proces të rregullt dhe ligjor. Mirëpo në ligj nuk ka procedura dhe afate që ndiqen gjatë rivlerësimit, duke e minuar ligjin.

 

Vetëdeklarimi

Një tjetër nen i Kushtetutës që nuk reflektohet në ligj, është neni DH. Aty thuhet se kontrolli bëhet mbi bazë të vetëdeklarimeve dhe informacioneve të marra në mënyrë ligjore nga gjykata e institucione të tjera. Mirëpo në ligj është specifikuar se, dhe nëse një person deklaron që një gjyqtar e ka parë me kriminelët, rrezikon që ai të shkarkohet. Një përcaktim i tillë bie ndesh me Kushtetutën, por që sipas ekspertëve demokratë, shkel dhe të drejtat e njeriut.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here