Nëse do të ndërtosh apo të kryesh punime në shtëpi, kërkesën për leje mund ta kryesh vetëm nëpërmjet sistemit online. Duke nisur nga sot, aplikimet dorazi do të jenë një kapitull i mbyllur, pasi të gjitha procedurat do të kryhen nëpërmjet portalit “e-albania” në internet.
“Më 1 shtator nuk do të keni më nevojë të sorollateni nëpër zyra për të aplikuar për një leje ndërtimi. Nga kompjuteri juaj, lehtësisht tani mund të aplikoni në portalin “e-albania” nëpërmjet 20 shërbimeve online në kuadrin e lejeve të ndërtimit. Kjo platformë elektronike thjeshton procedurat, rrit transparencën dhe lehtëson praktikat e komunikimit të qytetarit me administratën shtetërore”, ka shkruar ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, në rrjetet sociale.
Nëpërmjet shërbimit të ri, që do të nisë zbatimin që sot, do të reduktohet edhe koha e pritjes. Për aprovimin e lejes nuk do të duhen më 60 ditë sa ka qenë më parë, por vetëm 45 ditë. Qytetarët do të njoftohen me e-mail për lejen, ndërkohë që në mënyrë të vazhdueshme ata do të vihen në dijeni për ecurinë e aplikimit. Gazeta boton sot të gjithë hapat që do ndiqen, si edhe kategoritë e punimeve që nuk kanë nevojë për leje, bazuar në rregulloren e re për zhvillimin e territorit, miratuar pak muaj më parë nga qeveria. Kështu, aprovim nga Bashkia nuk duhet vetëm për leje ndërtimore apo zhvillimore, por edhe në rastet kur kryhen punime të ndryshme. Për këto të fundit depozitohet një deklaratë paraprake po nëpërmjet sistemit online.
Kështu, hapja dhe mbyllja e dyerve të brendshme, ndryshimi i mureve ndarës dhe i mjediseve për shërbime higjienike janë punime që nuk mund të kryhen pa marrë më parë leje pranë njësisë së qeverisjes vendore. Në këtë kategori është edhe vendosja e paneleve diellore, si edhe vendosja e reklamave në fasadat e shtëpisë për qëllime biznesi. Nga ana tjetër, zëvendësimi apo riparimi i dritareve, dyerve, qepenave, ballkoneve, tarracave dhe mureve ekzistuese janë raste që nuk kanë nevojë për konfirmim. Po ashtu, rifreskimi i lyerjes, suvatimit, vendosja e hekurave mbrojtës në dritare dhe e tendave të diellit janë ndërhyrje që qytetarët kanë dorë të lirë për t’i kryer.
PUNIMET QË NUK KANË NEVOJË PËR LEJE
Ndërhyrje të jashtme
• rifreskimi i lyerjes, suvatimit dhe veshjes së fasadave me materiale që kanë karakteristika dhe ngjyra të njëjta me ato ekzistuese;
• pastrimi i fasadave;
• riparimi dhe zëvendësimi i dritareve dhe dyerve, qepenave dhe vitrinave (duke përfshirë përdorimin e materialeve të ndryshme), pa ndryshuar karakteristikat e tilla si forma, ngjyra, dizajni dhe dimensionet e pjesëve të hapura dhe transparente;
• zëvendësimi i pjesshëm i mbulesës së çatisë, pa ndonjë ndryshim të formës, pjerrësisë dhe karakteristikave të veshjes;
• riparimi dhe zëvendësimi i ulluqeve e oxhakëve, edhe me materiale të ndryshme;
• riparimi i ballkoneve, tarracave dhe basamakëve apo barrierave mbrojtëse;
• vendosja e hekurave mbrojtës në dritare;
• vendosja e tendave të diellit dhe rrjetave kundër mushkonjave; sistemimi i oborreve;Ndërhyrje të brendshme:
• riparimi dhe rinovimi i dyshemeve;
• riparimi dhe restaurimi i suvasë, veshjeve dhe ngjyrave;
• riparimi dhe rinovimi i dyerve dhe dritareve, përfshirë vendosjen e xhamave të dyfishtë.
HAPAT PËR TË APLIKUAR PËR LEJE NDËRTIMI ONLINE
Aplikimi për leje do të kryhet vetëm online në portalin “e-albania”
• Aplikuesi do të plotësojë hap pas hapi të dhënat e kërkuara lidhur me:
– llojin e kërkesës që paraqet (p.sh. leje ndërtimi, shtyrje afati, leje përdorimi, plotësim dokumentacioni etj);
– llojin e kategorisë së ndërtimit (standarde apo kompleks);
– nëse është procedurë e përshpejtuar; (d) të dhënat e pronës ku ndërtohet.
• Sistemi do të mund të lidhet dhe marrë automatikisht të dhëna nga regjistrat e gjendjes civile dhe QKR
• Dokumentacioni i nevojshëm për shqyrtimin e kërkesës do të ngarkohet online nga aplikuesi, pasi të jetë nënshkruar prej personave përkatës me firmë elektronike, bashkë me një deklaratë të vetë aplikuesit lidhur me vërtetësinë dhe autenticitetin e dokumentit të ngarkuar në sistem
• Gjatë gjithë procesit, aplikuesi do të njoftohet me email lidhur me statusin e aplikimit të tij dhe do të marrë po kështu me e-mail njoftim për të gjitha vendimet që do të merren lidhur me aplikimin e tij
• Pas dërgimit të aplikimit, sistemi do të njoftojë nëpunësit e Bashkisë kompetente ose të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, në rastin e lejeve të Këshillit Kombëtar të Territorit
• Për shqyrtimin e kërkesës, nëpunësi i bashkisë e dërgon aplikimin përmes sistemit edhe në institucionet e tjera përgjegjëse dhe merr mendimet e tyre po ashtu përmes sistemit
• Në përfundim të procesit, kërkesa bashkë me raportin teknik të nëpunësit përgjegjës, i drejtohet për mendim kryetarit të Bashkisë. Nëse ky i fundit e vlerëson pozitivisht kërkesën, aplikuesit i kërkohet të vijojë me pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë
• Në fund, pas vërtetimit të pagesës, kryetari i Bashkisë firmos lejen, e cila i dërgohet aplikuesit në llogarinë personale tij në portalin ealbania dhe i njoftohet me e-mail.panorama