Abuzimet me tenderat kalojnë në kompetencë të SPAK, mbi 300 persona në hetim për vjedhje të rreth 3.3 miliardë lekëve

0
133

Përveç deputetëve, ministrave, apo gjyqtarëve e prokurorëve, edhe zyrtarët e thjeshtë të administratës apo pushtetit lokal duhet të tremben nga ngritja e Prokurorisë Speciale Antikorrupsion. Sipas parashikimeve të bëra nga ekspertët e komisionit të reformës në drejtësi, janari nis me hetime masive, teksa të parët që do kalojnë në sitë janë personat me dosje. Të gjitha dosjet që Adriatik Llalla mban në zyrën e tij prej vitesh dhe të vartësve të tij, do kalojnë aty dhe do vijohet me hetimet e mëtejshme, teksa shumë dosje të tjera pritet që dhe të rihapen. Interesant është fakti se në kompetencë të SPAK do jenë rreth 30 lloje krimesh, ku në sy bie se aty është futur dhe neni 258 i Kodit Penal “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Dihet tashmë se te ne abuzimet më të mëdha bëhen me tenderat dhe për këtë arsye duket se SPAK do të ketë një dorë shumë të fortë për të gjithë drejtorët dhe ata zyrtarë që kanë vjedhur paratë e qytetarëve, duke favorizuar individë të caktuar. Por kush janë personat e parë që do rrezikojnë? Puna do fillojë me dosjet aktuale dhe në prokurori vetëm për 2 vitet e fundit janë depozituar mbi 300 kallëzime penale, dhe pothuajse pjesa më e madhe e tyre vijojnë të mbeten pezull, duke mos prodhuar asnjë rezultat. Për këtë arsye, këto dosje do shihen me kujdes nga prokurorët e SPAK dhe kushdo që ka abuzuar do duhet të japë llogari para ligjit. Kallëzimet më të shumta për abuzime me tenderat i ka bërë Kontrolli i Lartë i Shtetit, duke përcaktuar me detaje të gjitha shkeljet dhe shumat me të cilat është abuzuar. Në këtë mënyrë, për vitin 2015 janë kallëzuar 159 persona, ndërsa për 2014 janë kallëzuar 149. Interesant është fakti se nga këto kallëzime ka rezultuar se për vitin 2015 dëmi nga prokurimet publike kap shifrën e 2.6 miliardë lekëve të reja, ndërsa për 2014 plot 678 milionë lekë të reja. Pra, në total rreth 3.3 miliardë lekë të reja. Kaq është shuma që u është vjedhur shqiptarëve në 2 vite nga zyrtarë të ministrive, bashkive dhe institucioneve të tjera. Por duke qenë se vepra penale e abuzimit me tendera do kalojë te SPAK, të gjithë do duhet të japin llogari.

 

Emrat që rrezikojnë

Përveçse janë rreth 300 zyrtarë me dosje për abuzime me tenderat, mes tyre ka dhe emra të njohur që do të përballen me drejtësinë. I pari është Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, Plarent Ndreca. Ai është kallëzuar nga KLSH për abuzime me tenderin e kompleksit “Tirana Olimpic”. Një tjetër emër është Elvis Rroshi, kryebashkiak i Kavajës. Edhe ai është i kallëzuar bashkë me disa zyrtarë të tjerë për abuzime me tenderat. Në listë është dhe kryebashkiakja e Patosit, Rajmonda Balili, si dhe ish-kryebashkiaku i Memaliajt, Lulzim Meçe. Përveç tyre ka dhe shumë drejtorë dhe anëtarë të komisioneve të vlerësimit të ofertave, si në Ministrinë e Brendshme dhe atë të Mbrojtjes. Një tjetër emër është kreu i ARRSH, Dashamir Xhika, apo disa nënkryetarë bashkish.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here