Polic i zoti, dhe prind shembullor. Kështu e njohin miq e të afërm, Ardian Kodra, efektivi që për 20 vite i shërbehu Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. 50-vjeçari Kodra, (në vitet ’90 ka punuar ne repartin e Zallherit), humbi jetën sot tragjikisht gjatë një aksioni në Torovicë të Lezhës, në tentativë për të neutralizuar një persona me të meta mendore, të armatosur. Kodra, banues në Shkodër, ishte i martuar dhe baba i dy djemve. Tashmë familja Kodra ka hapur dyert të motit për kryefamiljarin, i cili si çdo herë u nis në punë, ndërsa fati i keq luajti me të. Ndërkohë, autori i vrasjes, David Qosja, që sipas policisë është person me probleme mendore, vijon ende të jetë i izoluar në banesën e tij, ndërsa nuk pranon të dalë prej aty, duke qëlluar me automatik në drejtim të policisë. Një rast i ngjashëm ka ndodhur në tetor të vitit 2015, në Oblikë të Shkodrës, ku 52-vjeçari Ruzhdi Arishta, ka vrarë komshiun e tij 21-vjeçar, Besar Shebela pas një konflikti. Pas kësaj Arishta, që ishte i sëmurë mendërisht dhe i braktisur nga të gjithë, ka qëlluar edhe ndaj punonjësve të policisë, ku për pasojë humbi jetën komandanti i FNSH për Shkodrën, Simon Gjeta. Pas 12 orësh përplasje me policinë, u ekzekutua edhe autori i ngjarjes.