“Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit”. Nënë Terezës, me shtat imcak, por me besim shkëmbor, të patundur, iu besua misioni të kumtonte dashurinë e etur të Jezusit për njerëzimin, veçanërisht për më të varfërit ndër të varfër.
Agnesë Gonxhe Bojaxhiu lindi në vitin 1910, në një familje shqiptare në Shkup. Rrugëtimin si murgeshë, Nënë Tereza e nisi në Kishën e Letnicës në Kosovë, në moshën 17-vjeçare. Dy vjet më vonë udhëtoi drejt Indisë. Në vitin 1950, krijoi urdhrin e saj Misionaret e Bamirësisë, i cili edhe sot udhëheq shtëpi për fëmijë të braktisur, njerëz të varfër dhe të sëmurë.
Më pak se dy vjet pas vdekjes, për shkak të përhapjes së famës së shenjtërisë dhe hireve të nxjerra me ndërmjetësinë e saj, Papa Gjon Pali II lejoi të hapej çështja e shenjtërimit. Më 20 dhjetor 2002 miratoi dekretin mbi virtytet heroike dhe mrekullitë e bëra me ndërmjetësinë e saj. Nënë Tereza u lumnua më 19 tetor 2003.
Më 17.12. 2015, Papa Françesku njohu mrekullinë dhe nënshkroi dekretin për shenjtërimin e Nënë Terezës, duke njohur mrekullinë e kryer me ndërmjetësimin e saj: shërimin e një besimtari brazilian të sëmurë me tumor në tru.