Rrëfehet e shëruara nga bekimi i Nënë Terezës

0
1485

Nënë Terezës, nga sot shenjtja Tereza i njihen të paktën dy mrekulli. Asaj iu njoh shërimi i një gruaje nga India, e cila prej vitesh vuante nga një tumor akut në stomak. Që nga ajo kohë, Monica Besra, një grua e varfër, e cila jeton në një fshat të thellë të Indisë në kufi mes Bangladeshit, Nepalit dhe Butanit, u kthye në qendër të vëmendjes së gjithë opinionit publik, përfshirë këtu dhe debatet mes mjekëve dhe teologëve.

Por vetë ajo, rrefën për herë të parë për një televizion shqiptar, TCH mrekullinë që Nënë Tereza ka bërë mbi të.

“Rreth 20 vite më parë u diagonostikova me tumor në stomak. Mora shumë mjekime, por nuk pata asnjë përmirësim. Më mbaruan të gjitha paratë me mjekime dhe doktorë. Më pas, një nga të afërmit e mi u lidh me Spitalin e Nënë Terezës dhe ai më këshilloi që të shkoja atje sepse ishte falas dhe kjo ishte arsyeja pse u drejtova atje”, rrëfen Monica.

Top Channel: Mund të na shpjegoni si ndodhi që u shëruat?

Monica Besra: Në atë kohë vuaja nga një tumor akut. Më 5 shtator kishte një meshë të posaçme për Nënë Terezën, por edhe pse isha në gjendje shumë të rëndë dhe mezi ecja, mblodha forcat që të shkoja atje për t’u lutur. Gjatë meshës, një nga motrat mori medaljen e Marias, që kishte prekur trupin e Nënë Terezës gjatë funeralit. Ajo e vendosi fotografinë e saj në stomakun tim dhe bëri një lutje: “Nënë, sot është dita jote. Ti i ke dashur të varfrit. Bëj diçka për Monican”. Ndjeva që një dritë doli nga fotografia e Nënë Terezës dhe hyri në trupin tim. Ditën tjetër unë isha tjetër njeri. Mëngjesin e 6 shtatorit unë u çova e shëruar. Kjo ishte një mrekulli e Nënë Terezës”, thotë ajo.

Top Channel: Shumë persona janë skeptikë lidhur me shërimin tuaj, cfarë mund t’u thoni atyre?

Monica Besra: Në atë kohë kisha zënë shtratin dhe nuk arrija dot as të ecja, por në mëngjesin e datës 6 shtator u çova nga krevati, fillimisht duke u mbajtur në muret e dhomës, por pashë që nuk kisha nevojë, pasi arrija të ecja vetë dhe nuk kisha asnjë shqetësim në stomak. Motrat dhe doktorët u habitën kur panë që tumori nuk ishte më. Kjo është e gjitha vetëm nga bekimi i Nënë Terezës.

Top Channel: Ju cilit besim i përkisni?

Monica Besra: Më parë ishim Hindu, por pasi u bekova dhe u shërova tërësisht nga Nënë Tereza, u konvertuam të gjithë në katolikë.

Top Channel: Tashmë Vatikani ka vendosur Shenjtërimin e Nënë Terezës, çfarë do të thotë kjo gjë për ju?

Monica Besra: Për mua Nënë Tereza ka qenë shenjtore që më parë, që në momentin që ajo më hoqi tumorin. Shenjtërimi i saj, provon që ajo me të vërtetë ishte e dërguara e Zotit në tokë që ndihmonte njerëzit e varfër, të sëmurët dhe ata që ishin të lënë në harresë nga e gjihë shoqëria.

Fotografitë e Nënë Terezës nuk mungojnë në asnjë mur të shtëpisë modeste të familjes Besra. Në to janë të dokumentuara dhe momentet kur vetë Monica është lutur pranë varrit të Nënë Terezës në Kalkutë. Ajo, nuk ngurron të nxjerrë nga dhoma dhe një fotografi, të cilës, siç thotë vetë, i lutet çdo ditë pasi i riktheu jetën.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here