Në një shkrim të 2 prillit 2015, të quajtur “Fjalimi im në funeralin e Rilindjes” deputeti Ben Blushi i ndau rilindasit tipoligjikisht në dy degë: Të parët janë krenaristët dhe të dytët janë kanabistët.
Aftësi kryesore, të parëve u mveshi që qënët krenarë edhe në humbje (lexo të plotë shkrimin më poshtë në rubrikën Ide të Lapsi.al).
“Një krenarist do ishte krenar edhe në kushtet kur gjithë nxënësit e një shkolle mbeten në klasë. Në këtë rast, krenaristi do thoshte: ne jemi krenarë që të gjithë nxënësit kanë mbetur në klasë, sepse kjo ka ndodhur me forcat tona. Në regjimin e kaluar të gjithë e kalonin klasën, sepse paguanin mësuesit. Prandaj jemi krenarë që kemi zhdukur korrupsionin dhe asnjë notë nuk është e pamerituar. Ja pse jemi krenarë! Si ka mundësi që ju nuk jeni?”
Të dëgjoje mbrëmë argumentat e dhënë nga Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri në emisionin “Tonight” të Ilva Tares, se përse vendi është i mbushur me drogë, nuk kish’ si mos të të kujtohej përshkrimi që Blushi i bën rrethit të parë të rilindasve.
Për Ministrin e Brendshëm, është shumë e thjeshtë: drogë po kapet më shumë pasi po punohet më shumë.
“Opozita po mbledh sukseset tona, i hedh në hartë dhe thotë që ka kanabizim të Shqipërisë. Po mbledhin komunikatat e policisë, ku shkatërrohet kanabis dhe po thonë këtu ka, këtu ka e kështu me radhë, që praktikisht janë sukseset e policisë për të shkatërruar çdo parcelë kanabis aty ku ka.
Pse po shkatërrojmë sot më shumë, do të thotë që e identifikojmë më mirë, do të thotë që e shkatërrojmë pa asnjë lloj hezitimi. Dje, po aty ishte kanabisi, po aty ka qenë edhe në Vlorë, po aty ka qenë edhe në Dibër, po aty ka qenë edhe në Krujë, edhe në Shkodër dhe nuk e shkatërronte njeri. Ju e kujtoni se si ish Kryeministri, rreth viteve 2007, doli dhe tha do arrestohen kryepleqtë e fshatrave nëse nuk raportojnë kanabisin. Nuk e tha sepse kishte hallin e Lazaratit, e tha sepse kishte një hall në çdo cep të Shqipërisë dhe ky problem është trashëguar dhe askush nuk ka lëvizur”, deklaroi Ministri i Brendshëm i Shqipërisë.
Ministri Tahiri i ka të dhënat e Guardia Di Finanza që disa muaj më parë u publikuan në Corriere Della Sera. Ato flisnin për 25 % më shumë sipërfaqe të mbjella me kanabis se çdo vit tjetër i qeverisjes së vetë Ramës, Berishës, Nanos, Metës, Majkos apo Meksit.
Këndvështrimi i tij mbi situatën ngjan, për nga tipologjia, me atë të krenaristit të përshkruar nga Blushi: “Krenaristët nuk kuptojnë se kjo është njëlloj sikur një ekip të humbte me autogol dhe trajneri të krenohej se e kishin humbur ndeshjen me forcat e veta. Këta janë krenaristët. Ata janë krenarë për çdo gjë që bëjnë dhe madje habiten se si ne të tjerët nuk jemi krenarë për ta”.
Sipas asaj që thotë Ministri Tahiri, duhet besuar se miliona bimë kanabis janë lejuar që policia t’i korrte më pas si sukses.
Statistikat e policisë flasin për 1.5 milionë rrënjë të shkatërruar nëpër Shqipëri. Opozita nuk i ka marrë si referencë aksionet, por e ka vënë nën akuzë ministrin Tahiri se ndërhyrjet janë selektive; godasin vetëm parcelat e atyre që nuk paguajnë “haraçin prej 30 % tek ai dhe Rama”.
Një rast i fundit është ai pranë aeroportit të Rinasit. Edhe pse PD e ka denoncuar me pamje filmike një sipërfaqe prej 6 hektarësh, policia nuk ndërhyn, ose ka ndërhyrë pjesërisht. PD thotë se ky plantacion me mbi 50 mijë rrënjë është nën patronazhin e Artur Bushit, kryetarit të Bashkisë së Krujës.
Këtë akuzë të fortë, ministri Tahiri e paraqet si kundërakuzë: “Është rasti më ekzemplar se si PD jo vetëm rrezikon prishjen e procedimeve penale të policies, por gati gati mund të thuhet që edhe i ndihmon ata që e kultivojnë. Për rastin konkret, policia e shtetit ka një procedim penal të nisur në datë 12, në mos jam gabim, të muajit të kaluar, një procedim penal për të cilin di që, dje ose sot është arrestuar një person dhe janë në kërkim dy të tjerë dhe është shkatërruar parcela dhe konferenca për shtyp e PD, jo vetëm që është jashtë vendit, jo vetëm që prish punën e policisë, jo vetëm që fare të kollajtë do e kishin nëse do interesoheshin zyrtarisht, në mos në polici, në prokurori për të mësuar se çfarë bëhet, por gati gati mund të thuhet që ndihmon kultivuesit se duket sikur i bën një thirrje që të largohen meqë policia paska një procedim penal. Parcela është shkatërruar, është arrestuar një person dhe janë shpallur në kërkim 2 të tjerë”.
Si mundet t’i prishë punë opozita policisë kur veprimet zbuluese dhe hetimore e saj duhet të kishin nisur pa u hedhur ende fara e kanabisit nëpër plantacionet nga Shkodra në Sarandë, nga Kavaja në Ersekë? A nuk ka policia përgjegjësi (edhe penale) për lejimin e mbjelljes së bimës narkotike?
Vetëm për të hapur plantacione duhen mjete pune e pajisje të veçanta sa do t’i bënin përshtypje edhe një polici që ruan objektet, e jo më një agjenti të antikrimit apo antidrogës. Përse policia mbylli sytë?
Këtyre pyetjeve Ministri Tahiri nuk u dha përgjigje.
Një raport sekret i SHISH flet për implikim të drejtuesve të lartë të policisë së shtetit në këtë aferë multimilirdëshe. Drejtori i Policisë së Lezhës u pezullua nga detyra pas një hetimi të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për disa raste të kultivimit të kanabisit në zonën e Dajtit, gjatë kohës që ai mbante detyrën e Shefit të Krimeve në Komisariatin Nr 4 në Tiranë, deri në korrik të këtij viti.
Një inspektor i policisë së Kolonjës u arrestua pasi prokuroria e Korçës provoi se ai bashkëpunonte me disa kultivues.
Realiteti që shohin përditë banorë të zonave malore nga veriu në jug apo ata të fushave pranë lumenjve në Vjosë, Seman, Shkumbin e Drin, atyre pranë zonës së Rinasit, në zonën e Nënshkodrës apo në kodrat e Elbasanit, është ai i njerëzve të armatosur që nuk i lejojnë të çojnë bagëtinë në kullota, i turistëve që nuk u rekomandohet të kalojnë disa shtigje që janë kthyer në të pasigurtë, pasi ka njerëz me armë që ruajnë zona të vaçanta në pyje apo i të rinjve që i janë kthyer “bujqësisë” dhe paguhen 30 mijë lekë në ditë duke u shërbyer bimëve narkotike që të rriten.
Ministri Tahiri ende nuk ka marrë asnjë përgjegjësi mbi vete për këtë situatë të paparë ndonjëherë, në asnjë qeveri të mëparshme, edhe në kohën kur Lazarati ishte i paprekshëm. Ai është aq krenar, saqë pozoi me policë të armatosur para parcelave me kanabis dhe në krah të një gazetari të The Economist, siç pozonin forcat antidrogë dikur në Kolumbi; dërgoi për të bërë foto e selfie në plantacionet e Pukës Anëtarët e Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, të cilët i shfaqi më qesharakë se kurrë para shqiptarëve dhe organizoni “shëtitje” me gazetarët, që ashtu si ministri u lumturuan teksa bënë foto në mes të bimëve që i kishin kaluar kokat e tyre dhe që po intervistonin 4 fshatarë “të këputur”, të vënë nën pranga, a thua se ishin kokat e organizatës që kishte mbjellë mbi 50 mijë rrënjë kanabis në lumin e Vlorës.
Për këtë realitet, që nga padija apo euforia ministri na e tregon vetë me aksionet policore me regji, ai s’mban asfare përgjegjësi, por shfaqet krenar, “në përpjekje për të na bindur se kaosi që ka shkaktuar është i organizuar”, do të thoshte Blushi, “sepse e ka shkaktuar me forcat e veta”. /Lapsi.al