Hapet sesioni i ri parlamentar/ Meta: Duhet finalizuar reforma në drejtësi, të ecet para e të përmbyllet edhe reforma zgjedhore

0
145

“Të mësojmë nga humanizmi i Nënë Terezës për të humanizuar edhe politikën tonë, për ta sjellë atë më pranë njerëzve dhe në mbështetje të njerëzve të thjeshtë”

Gëzim Saliu

 

Kuvendi i Shqipërisë çeli dje sesionin e ri të punimeve, i cili pritet të ketë në fokus

miratimin e ligjeve të Reformës në Drejtësi, reformën Zgjedhore, si edhe situatyën ekonomike përmes diskutimit për buxhetin.  Seanca plenare nisi me betimin e deputetes më të re të Kuvendit të Shqipërisë, Dhurata Çupi, e cila zëvendëson Sherefedin Shehun, pasi dha dorëheqjen si deputet, pasi do të garojë në zgjedhjet e pjesshme lokale për kryetar bashkie që do të zhvillohen në Dibër në 11 Shtator. Në seancën e parë të sesionit të ri parlamentar u miratua kalendari tre javor i punimeve të Kuvendit për të cilin opozita abstenoi në konferencën e kryetarëve ndërsa u miratua program i punës .
Fjalimi i Metës

 

Në fjalën hapëse të sesionit të ri parlamentar,  kreu i Kuvendit Ilir Meta deklaroi se në  punimet e këtij tre mujori duhet të ecët përpara me miratimin e ligjeve të Reformës në Drejtësi dhe me përfundimin e reformës Zgjedhore. “Së pari, për të ecur me finalizimin e reformës në sistemin e drejtësisë, për miratimin edhe të projektligjeve të tjera prioritare, përveç atij të vettingut që do t’i hapë rrugë zbatimit të plotë të dispozitave të reja të Kushtetutës që miratuam me konsensus të plotë në 21-22 korrik të këtij viti.  Finalizimi i reformës në drejtësi merr rëndësi të veçantë edhe në kuadër të detyrimeve që vendi ynë ka për procesin e integrimit në Bashkimit Europian, si dhe në përmbushje të detyrimeve prioritare të përcaktuara  për marrjen e një rekomandimi pozitiv nga Komisioni Europian, por edhe Këshilli për hapjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.  Po kështu ky sesion që po fillojmë sot duhet të ecë përpara dhe të përmbyllë edhe reformën për procesin zgjedhor. Komisioni i posaçëm për reformën zgjedhore duhet të fillojë të nxjerrë frytet e para të punës për miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it si dhe në bashkëpunim me të gjithë aktorët e shoqërisë civile dhe të institucioneve të interesuara për zgjedhje të lira, të ndershme dhe të standardeve më të larta evropiane”, u shpreh Meta.  Po ashtu kryeparlamentari bëri të ditur se në fokus të punës së këtij sesioni do të vijojnë të jenë proceset integruese të vendit në Bashkimin Europian, në kuadër të përmbushjes së detyrimeve për çeljen e bisedimeve për anëtarësimin e vendit tonë ne Bashkimin e Europian.  ”Ndaj komisionet parlamentare besoj se do të vijojnë që të kenë prioritet angazhimet që vendi ynë ka ndërmarrë në këtë proces për të vijuar me të gjitha detyrat serioze për mbikëqyrjen dhe monitorimin edhe të reformave të tjera kyçe për procesin e integrimit europian. I uroj këtij sesioni parlamentar një fillim të mbarë pune për realizimin e këtyre reformave, për një bashkëpunim sa më konstruktiv të të gjithë forcave politike që përfaqësohen në Kuvendin tonë”

Shembulli i Nënë Terezës

Në nisje të fjalës së tij në Parlament, kreu i Kuvendit foli lidhur me ngjarjen e shenjtërimit të Nënë Terezës. Sipas Metës me thjeshtësinë e qenies dhe me madhështinë e veprës së saj, Nënë Tereza është ngritur në piedestalin e figurave më të shquara, jo vetëm të kishës katolike, por edhe të historisë së njerëzimit në tërësi. “Kjo humaniste e jashtëzakonshme me shtat të vogël, por me zemër të madhe, bëri që mbarë bota të njihte shpirtin e saj të madh, të gjerë dhe të pafund të dashurisë.  Ky personalitet i fuqishëm, fitoi admirimin dhe respektin me përmasa gjithëbotërore, duke u përçuar mesazhin se mjafton një kurajo, guxim, besim, mirëkuptim dhe vullnet për të kryer vepra që çlirojnë dashuri dhe harmoni, zbusin plagët dhe dhimbjet dhe mbjellin qetësi në trup dhe në shpirt.  Nënë Tereza është bërë simbol i ndihmës për më të varfrit e të varfërve, të cilëve ajo i kushtoi jetën e saj”. Nga ana tjetër kryeparlamentari theksoi se përgjegjësi e politikës është që të reflektojë dhe të përçojë mesazhin e Shenjtores Nënë Tereza në jetën dhe në aktivitetin e përditshëm.  “Të mësojmë nga humanizmi i saj për të humanizuar edhe politikën tonë, për ta sjellë atë më pranë njerëzve dhe në mbështetje të njerëzve të thjeshtë. Për ata që vuajnë më shumë dhe që presin nga ne që të jemi më njerëzor dhe më pranë halleve të tyre”, theksoi ai.

 

ekspozita..

Në Kuvend çelet ekspozita në nder të figurës së Nënë Terezës

Nën kujdesin e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, Ministres së Kulturës, Mirela Kumbarore dhe Drejtoreshës së Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani, në ambientet e Sallës së Seancave Plenare u çel dje ekspozita me rastin e Shenjtërimit të Nënë Terezës. Ekspozita përmbante albume mbresëlënëse të artistëve, monografi studimore, intervista, jetëshkrime, bibliografi, foto dhe sende personale të Nënë Terezës.  Në fjalën e tij përshëndetëse, Meta tha se duke qenë dita e parë pas shenjtërimit të Nënë Terezës, kjo është dhe një ditë reflektimi për të gjithë ne, për të dhuruar më shumë dashuri, për të kontribuar për më shumë solidaritet në shoqërinë tonë ndaj atyre që kanë nevojë. “Me pak fjalë do të thosha se është një ditë reflektimi edhe për politikën tonë, për humanizimin e saj dhe për t’i dhënë fund demonizimit të njëri-tjetrit dhe të politikës në përgjithësi. Pra, për të bërë një politikë në interes të njerëzve, ku ata të ndjehen gjithmonë të përfshirë, të përkrahur dhe të mbështetur në aspiratat e tyre për një jetë më të mirë, siç e meritojnë të gjithë qytetarët shqiptarë”, theksoi ai.  Nga ana e saj Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro vlerësoi se kjo është mënyra më e mirë për të nisur sesionin nën një shenjë siç është shenjtërimi i Nënë Terezës.  “Është një koleksion impresionesh, gjestesh dhe botimesh që flasin për Nën Terezën dhe e sjellin atë në një formë tjetër. Siç thoshte Nënë Tereza,  “ne mbase nuk bëjmë dot gjera të mëdha, por mund të bëjmë plot gjëra të vogla dhe me dashuri të madhe”. Kjo ekspozitë është një ndër to dhe do të lejë impresionin e vet dhe përshtypjen e vet”, tha Kumbaro. Ekspozita do të vijojë të qëndrojë e hapur për të gjithë qytetarët edhe ditën e sotme nga ora 10:00- 12:00 si dhe pasdite nga ora 17:00-19:00.

17

Nishani takohet me Parolin: Besim se shumë shpejt edhe Selia e Shenjtë do të njohë Kosovën

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në kuadrin e pjesëmarrjes në ceremonitë e zhvilluara në Vatikan për shenjtërimin e Nënë Terezës, u takua dje edhe me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin, si dhe ndoqi Meshën e Falënderimeve të kryesuar nga Kardinali për Nënë Terezën, vetëm një ditë pas shpalljes si Shenjtore. Presidenti Nishani, në takimin e veçantë me Kardinalin Parolin, shprehu mirënjohjen e thellë veçanërisht të komunitetit katolik shqiptar për vemendjen e madhe që Vatikani i ka kushtuar rimëkëmbjes së tyre shpirtërore dhe sociale pas rënies së komunizmit në Shqipëri. Kreu i Shtetit bashkëbisedoi me Kardinalin Parolin edhe për zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në Bashkimin Evropian, duke theksuar rolin e Shqipërisë në rajon dhe duke evidentuar progresin e bërë në rrugën e afrimit me Bashkimin Evropian. “Jemi të ndërgjegjshëm për sfidat serioze me të cilat përballet sot Unioni, por ne jemi të vendosur për të vijuar me reformat e nevojshme që do t’i mundësojnë vendit integrimin në Bashkimin Evropian, i cili mbetet projekti më madhor aktual i shqiptarëve”u shpreh Presidenti Nishani. Duke u ndalur në çështjen e Kosovës, kreu i shtetit vlerësoi vëmendjen e veçantë që Selia e Shenjtë i kushton marrëdhënieve me Kosovën dhe duke vlerësuar gjithashtu procesin e negociatave dhe të pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë, shprehu besimin se shumë shpejt edhe Selia e Shenjtë do të marrë një vendim për njohjen e pavarësisë së saj, në shërbim të mëtejshëm të paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit dhe Evropës Juglindore.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency