Droga në vend/ Asgjësohen rreth 12 000 rrënjë kanabis në qarqe, arrestohet vetëm një person

0
175

Pothuajse çdo ditë kemi asgjësime të bimëve narkotike nga veriu deri në jug të vendit. Edhe ditën e djeshme disa aksione janë ndërmarrë nga policia për asgjësimin e bimëve narkotike. Kështu vetëm ditën e djeshme janë asgjësuar rreth 12 000 bimë narkotike të dyshuara kanabis sativa. Aksioni është shtrirë në disa qytete si: Lezhë, Vlorë dhe Tiranë.

Kështu në qytetin e Vlorës, policia ka asgjësuar mëngjesin e djeshme rreth 7700 rrënjë kanabis sativa.  Bimët narkotike u gjetën të mbjella në fshatrat Mifol, Dukat, Kotë, Cerkovinë, Skrofotinë, Palasë, Treblovë dhe Pllakë, të kultivuara përgjatë luginave dhe përrenjve të thellë nëpër pyjet e këtyre fshatrave, të cilat nga hetimet e kryera rezultojnë të jenë toka pa pronarë. Policia bëri asgjësimin e tyre me anë të shkuljes, copëtimit dhe djegës me zjarr,ndërsa po punohet për identifikimin dhe kapjen e kultivuesve të këtyre bimëve narkotike.

Edhe në qytetin e Lezhës ka pasur asgjësim të bimëve narkotike ditën e djeshme. Blutë e këtij qyteti kanë asgjësuar 623 rrënjë kanabis sativa. Bimët u asgjësuan me anë të djegies në fshatin Godull, Kurbin, ku përkatësisht janë u asgjësuan 570 rrënjë kanabis. Ndërsa në Balldre një person u arrestua pasi pranë banesës së tij iu gjetën 53 bimë të kultivuara. I arrestuari është Alfred Brucaj, 40 vjeç, banues në Balldre. Materialet procedurale u referuan Prokurorive së Rretheve Gjyqësore Lezhë dhe Kurbin, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” .

Asgjësim të bimëve narkotike ka pasur edhe në kryeqytet. Sipas burimeve të policisë bëhet e ditur se shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.4, në Bulqesh, sipër liqenit të Bovillës, janë konstatuar 74 rrënjë bime narkotike të dyshuara si “‘Cannabis Sattiva”, të cilat u asgjësua me anë të djegies. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Policia ka vazhduar asgjësimin e lëndëve narkotive edhe në Mat. Kështu ditën e djeshme është bërë i mundur asgjësimi i 3600 rrënjëve kanabis në Mat. Bazuar në koordinatat e monitorimit të kryera Guardia Di Finanza si dhe kontrolleve të ushtruar nga ana e policisë, në një zonë të pyllëzuar, në vendin e quajtur “Shkalla e Bardhë”, njësia Administrative Baz, Mat, janë gjetur të kultivuara në parcela të hapura rishtas bimë narkotike.

Nga këqyrja e bërë nga grupi hetimor rezultoi se në këto parcela ishin të kultivuara 3600, bimë të dyshuara narkotike “Cannabis Sattiva”. Bimët u asgjësuan në vend me anë të djegies, ku disa prej tyre u morën në cilësinë e provës materiale. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat, për veprime të mëtejshme.