Konçesioni i Rrugës së Kombit është pezulluar. Ky vendim ka ardhur pas ankimimit të kompanisë e cila u rendit e dyta në tenderin që u zhvillua për këtë rrugë ne korrik te ketij viti. Grupi i kompanive “Catalyst”, “Salillari” dhe “Kastrati”, kanë dorëzuar në Komisionin e Prokurimeve publike ankimim me argumentin se janë skualifikuar padrejtësisht. “Ka pasur një ankesë në Komisionin e Prokurimeve Publike dhe pezullimi vjen si rrjedhojë e ankesës. Me marrjen e ankesës, Komisioni i Prokurimit Publik na ka njoftuar për pezullimin dhe detyrimin për të dërguar informacion”, tha Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë së Transporteve Eduard Seitaj. Mw tej ai shpjegoi se vendimi pritet të jepet brenda 10 ditëve dhe se fati i këtij koncesioni varet nga ky vendim. “Është ankuar kundër komisionit për skualifikimin. Ka pretenduar që plotëson të gjitha kërkesat për kualifikim ndryshe ngase ka vendosur komisioni dhe më tej është në varësi të vendimit të komisionit’. Ministria e Transporteve ka përzgjedhur si fitues të koncesionit për mirëmbajtjen dhe rehabilitim e rrugës Milot-Morinë, një bashkimin kompanish kryesuar nga shoqëria turke “Vendeka Bilgi”, e cila ka ofruar një investim në vazhdimësi për mirëmbajtje dhe operim të rrugës në shumën 320,6 milionë euro dhe do të marrë nga buxheti i shtetit 5.6 milionë euro për 13 vite.