Rikthehen tensionet në koalicionin qeverisës, Meta s’konfirmon aleancën në 2017

0
217
SEANCE PARLAMENTARE - Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, gjate nje seance parlamentare, ku eshte debatuar ne lidhje me projektligjin per turizmin./r/n/r/nPARLIAMENTARY SESSION - Prime Minister Edi Rama and Parliament Speaker Ilir Meta, during a parliamentary session.

Kryeministri Edi Rama vijon të këmbëngulë për rishikimin e koalicionit me LSI, duke rritur dozën e presionit ndaj aleatit të tij në qeveri. Pas deklaratës së pak ditëve më parë në rrjetet sociale ku ai u shpreh se kjo gjë është e nevojshme dhe për shkak të PDIU, ai dje ka ripërsëritur thirrjen, duke lëshuar në këtë mënyrë një tjetër mesazh ndaj aleatit të tij, Ilir Meta. Rama tha se duhet me urgjencë që palët të ulen dhe të diskutojnë sa i takon vijimit të bashkëpunimit në zgjedhjet e ardhshme. Mirëpo, dje ka folur për këtë gjë dhe kreu i LSI, i cili ka vënë në pikëpyetje vijimin e bashkëpunimit. Meta ka folur dy herë dhe në të dyja rastet iu shmang pyetjes, duke mos dhënë një përgjigje të saktë se çfarë do të ndodhë në zgjedhjet e 2017. Edhe pse ditët e fundit është parë se ka një afrimitet mes PS dhe LSI, duket se ende ka përplasje nga brenda. Rama po kërkon garanci nga LSI se do e mbështesë në zgjedhjet e ardhshme, ndërsa kjo e fundit nuk po jep asnjë sinjal për vijimin e koalicionit. Rama, dje, në një intervistë për “RTSH”, deklaroi se ulja e palëve për të diskutuar për koalicionin duhet të jetë sa më e shpejtë. “Përsa i përket mandatit të ardhshëm, unë e kam thënë e do e përsëris, që është koha dhe shumë shpejt ne do të ulemi për të diskutuar në mënyrë të hapur, gjithmonë në mënyrë të drejtpërdrejtë lidhur me bilancin e deritanishëm, lidhur me sfidat e kësaj faze të fundit të mandatit dhe lidhur me zgjedhjet e ardhshme për të patur qartësi të plotë, jo vetëm mes nesh, por dhe me publikun mbi ecurinë e mëtejshme, për të mos konsumuar energjitë e njerëzve me gjëegjëza që mund t’iu vlejnë vetëm atyre që jetojnë përditë me krijimtarinë e botës së informacionit, por nuk u vlejnë të tjerëve”, tha Rama.

Reformat

Kryeministri Edi Rama, përtej presioneve ndaj aleatit, përmendi një sërë arritjesh, duke thënë se ato që u realizuan nga PS-LSI nuk u realizuan dot gjatë 20 viteve. Por shtoi se ka shumë gjëra për të përmirësuar sa i takon bashkëpunimit PS-LSI. “Ka shumë kritika, rezerva, ankesa, në rutinën e përditshme për funksionimin e koalicionit, etj-etj. Por nëse do të merrnim pak distancë dhe do të shikonim të gjithë panoramën e këtyre tre viteve të para të bashkëpunimit tonë, do të shikonim që ky koalicion dhe kjo shumicë qeverisëse ka bërë reforma që nuk janë bërë për 20 e kusur vite dhe ka siguruar ecjen hap pas hapi në këtë rrugë reformash me probleme minimale, në kuptimin e kompaktësisë. Dhe kjo është një gjë shumë e madhe. Pra, ka shumë gjëra për të përmirësuar në funksionimin e përditshëm të koalicionit, por ka një gjë të rëndësishme për të vlerësuar për këtë koalicion, që është kapaciteti për të garantuar një program serioz reformash shumë të thella që hap pas hapi do na japin rezultate të dëshiruara”, tha ai. Më tej Rama deklaroi se koalicioni mes PS dhe LSI sigurisht që ka shumë problematika, dhe ka ardhur koha që ato të adresohen. Deklarata e tij e djeshme është e dyta që bëhet në drejtim të LSI. Rama i trembet largimit të aleatit në zgjedhjet e ardhshme dhe ka nisur që tani të kërkojë nëse do vijojë bashkëpunimi apo jo.  Nga ana tjetër, LSI deri më tani nuk ka bërë asnjë lëvizje, duke dëshmuar klimën e ftohët që ekziston brenda aleancës PS-LSI.