Janë 1.21 trilonë lekë që qarkullojnë në ekonomi deri në fund të korrikut 2016, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë. Nga këto, 233 miliardë lekë, ose 19.3% janë jashtë kanaleve bankare, të tjerat janë të mbyllura në banka si depozita pa afat (që mund të hidhen lehtë në qarkullim), depozita me afat apo në forma të tjera investimi.
Por, ajo që po vhet re vitin e fundit është ngadalësimi i ndjeshëm i rritjes së parasë gjithsej. Në korrik paraja që qarkullon në ekonomi ka shënuar rritjen më të ulët vjetore të paktën që nga viti 2002, kur raporton të dhënat Banka e Shqipërisë. Sipas serive kohore të Bankës së Shqipërisë, agregati M3 (paraja në qarkullim përfshirë depozitat) u rrit me 15 miliardë lekë në korrik 2016, në raport me korrikun 2015, nga 39 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe më i ulëti historik që kur raportohen të dhënat (shiko grafikun).
Teoritë ekonomike pohojnë se ngadalësimi në ofertën e parasë reflekton natyrën e ndrydhur të ekonomisë dhe rënien në investime. Psh, paraja gjithsej po rritej me shpejtësi në pjesën më të madhe të vendeve të pasura, me përjashtim të Japonisë, derisa arriti kriza e 2008-s. Që prej asaj kohe rritja është ngadalësuar ndjeshem dhe tendenca është ende tkurrëse në pjesën më të madhe të vendeve të pasura. Një rritje në ofertën e parasë, në mënyrë tipike i il normat e interesit, që nga ana e tyre gjenerojnë më shumë investime dhe vënë më shumë para në duart e konsumatorëve, duke nxitur në këtë mënyrë shpenzimet. Bizneset përgjigjen duke porositur më shumë lëndë të parë dhe duke rritur prodhimin. Rritja e aktivitetit të biznesit shton kërkesën për punë. E kundërta mund të ndodhë në rast se oferta për para bie, ose ritmet e rritjes së saj ngadalësohen.
Fatkeqësisht duket se kjo e fundit po ndodh dukshëm në Shqipëri. Ulja e vazhdueshme e normave të interesit, e stimuluar nga Banka e Shqipërisë që ka reduktuar ndjeshëm normën bazë vitet e fundit, në 1.25% aktualisht, nuk po ndihmon paranë të lëvizë në ekonomi. Kredia për bizneset dhe individët dy vitet e fundit ka shënuar ritme negative rritjeje, me -2% në 2015-n dhe në korrik 2016 rritja me bazë vjetore ishte zero.
Të tjerë tregues mbështesin ekonominë e ndrydhur si rënia e eksporteve me gati 7% me bazë vjetore për periudhën janar-korrik 2016; performanca e dobët e depozitave; ngadalësimi i rritjes së të ardhurave nga tatimet e doganat, nga rritje dyshifrore në muajt e parë në më pak se 10% për 7 mujorin, teksa në korrik të hyrat nga TVSH (një tregues direkt i qarkullimit të mallrave në ekonomi), ranë me 0.5%.
Rritja e dobët e ofertës së parasë në ekonomi, sipas ekspertëve, është shqetësuese, pasi tregon për një ngadalësim të aktivitetit ekonomik në vend, që nuk po arrin të nxitet nga politika tejet lehtësuese monetare e Bankës së Shqipërisë, që duket se e vetme nuk po mjafton për t’i dhënë një dorë bizneseve e konsumatorëve./monitor