Fushata në Dibër, premtimet e fundit të kandidatëve

0
259

Dy kandidatët për kryetar të Bashkisë së Dibrës, në fjalimet e tyre të fundit para qytetarëve të Dibrës, premtuan përmirësim të situatës. Kandidati i djathtë, Sherefedin Shehu, ishte më konkret në premtimet që bëri, duke thënë se do të ulë taksat, do të mbështesë familjet në nevojë dhe të rinjtë. “Në Bashkinë tonë, ndihma ekonomike nuk do të jetë një mjet presioni dhe favoresh. Ajo do të jetë transparente dhe do të shkojë tek të gjithë ata që kanë nevojë, pavarësisht ngjyrës politike. Asnjë familje në Bashkinë e Dibrës nuk do te kërcënohet me bukën e gojës, dhe do të garantohet furnizimi i domosdoshëm me ujë të pijshëm dhe energji elektrike. Propozimi im i parë për Këshillin Bashkiak do të jetë ulja e tarifës së ujit të pijshëm, ulja e tarifës së llixhave nga 250 në 100 lekë në ditë dhe krijimi i fondit të posaçëm për të mundësuar ndriçimin për familjet në nevojë”, tha kandidati i djathtë. Po ashtu, Shehu premtoi ulje taksash në nivel minimal që e lejon ligjin. “Ne së bashku do të punojmë për një Dibër të zhvilluar. Siç e premtova në hapjen e fushatës, tarifat e Bashkisë do të jenë zero dhe taksat do të ulen në nivelin minimal që e lejon ligji. Bashkia do të jetë orientuesi dhe ndërmjetësuesi i fermerëve dhe bizneseve të mëdha këtu, në Tiranë, Durrës e kudo që të garantohet tregu për shitjen e prodhimeve të tyre. Me fermerët e mollëve e kemi filluar këtë bashkëpunim dhe për ta kemi siguruar tregun për 80% të prodhimit”, premtoi kandidati i djathtë. Ndërsa kandidati i majtë, Muharem Rama u premtoi dibranëve qytetin e ëndërruar. “Unë jetoj në Dibër dhe i di hallet e juaja. Kemi gati një program të detajuar se çfarë do bëjmë për Dibrën në mandatin tim si kryebashkiak. Do e bëjmë Dibrën vendin e ëndërruar për të gjithë. Sot kërkoj të votoni kandidaturën time, votoni numrin tim. Votoni për Dibrën me krenari. Rroftë Dibra!”, tha ai.